Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç u takuan këtë javë në Bruksel, për herë të dytë, në kuadër të dialogut Prishtinë-Beograd, të ndërmjetësuar nga BE-ja, për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve fqinje.
Dialogu rifilloi muajin e kaluar, pas një pushimi njëvjeçar, që erdhi si rezultat i situatës politike në Kosovë, ku udhëheqësit e kohës së luftës, përfshirë ish- Presidentin Hashim Thaçi dhe politikanë të tjerë të vjetër, u paditën nga Dhomat e Specializuara në Hagë me akuzat për krime lufte. Më pas, një vendim i Gjykatës Kushtetuese çoi në zgjedhje të parakohshme në Kosovë, që u fituan me rezultat të thellë nga Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit, një kundërshtar i zjarrtë i politikave ndërkombëtare të zbatuara në Kosovën e pasluftës.
Rinisja e dialogut përkon me 10 vjetorin e bisedimeve të ndërmjetësuara nga BE-ja, mes Kosovës dhe Serbis,ë të shënuara nga tensione, ndërprerje të shpeshta dhe pak rezultate të prekshme. Qasja inkrementale e BE-së në fillim të dialogut – duke u përqëndruar në çështjet teknike – ndihmoi në krijimin e besimit në proces dhe shënoi përparim të ngadaltë.
Sidoqoftë, marrëveshjet e Brukselit të vitit 2013, të cilësuara si historike nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, baronesha Catherin Ashton nuk arritën qëllimin e synuar të normalizimit të marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës. Përkundrazi, këto marrëveshje bënë që palët të ftoheshin kur erdhi puna për fazën e zbatimit, pjesërisht për shkak të paqartësisë së kushteve, mungesës së transparencës dhe një qasjeje nga lart-poshtë të BE-së. Për më tepër, dialogu dukej se ishte kthyer një proces të pafund, pa një udhërrëfyes të qartë për një marrëveshje përfundimtare gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme.
Kjo la hapësirë për interpretime konfliktuale dhe konfuze nga të dy palët e përfshira, si dhe një mungesë gatishmërie politike për t’u angazhuar me dialogun, që minoi ndërtimin e besimit dhe rriti tensionet.
Mes kësaj klime të vështirë, Serbia nisi një fushatë agresive të tërheqjes së njohjeve të pavarësisë së Kosovës, ndërsa kjo e fundit u hakmorr duke vendosur tarifa 100% ndaj mallrave të Serbisë që hynin në Kosovë. Kjo përfundimisht e zhyti dialogun në një ngërç dhe BE-ja humbi rolin e saj udhëheqës, si marrëveshje- bërëse e mundshëme.
Në këto rrethana, në vitin 2020, ish-Ministri i Punëve të Jashtme Sllovake, Miroslav Lajcak u emërua nga BE-ja si Përfaqësues i Posaçem për dialogun Kosovë-Serbi për të ringritur bisedimet dhe për të arritur një normalizim gjithëpërfshirës të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës.
Megjithëse angazhimi i ripërtërirë i BE-së për dialogun mund të ketë kthyer Kosovën dhe Serbinë në tryezën e negociatave, dialogu është pjekur sa për të vjelë një rezolutë përfundimtare. Qasja e BE-së ndaj dialogut ka krijuar varësi nga historia dhe çështjet në fjalë janë shumë komplekse për t’u adresuar, pa një koordinim më të ngushtë midis BE-së dhe SH.B.A-ve.
Së pari, në zemër të mosmarrëveshjes Kosovë-Serbi është sovraniteti i vendit. Qeveria e Kosovës në Prishtinë dhe shumica e botës demokratike pohojnë se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme, ndërsa qeveria serbe pohon se Kosova është pjesë e Serbisë. Kjo e bën shumë të vështirë që dy palët të bëjnë lëshime.
Opinioni publik nga të dy vendet është shumë i ndjeshëm mbi këtë temë. Një studim i fundit i kryer nga Qendra për Dialog Social dhe Nismat Rajonale në Beograd tregoi se vetëm 14,1% e serbëve ishin të gatshëm të njihnin pavarësinë e Kosovës në këmbim të pranimit në BE. Nga ana tjetër, Albin Kurti, Kryeministri i ri i Kosovës, ka kundërshtuar ashpër krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe më tej, edhe qasjen e ndërmarrë nga qeveritë e mëparshme ndaj dialogut. Ndryshimi i pozicionit ndaj këtyre çështjeve do ta diskreditonte publikisht atë.
Së dyti, BE ka humbur ndikimin dhe besueshmërinë si një ndërmjetës efektiv. Karrota më e madhe që BE-ja mund të ofronte në procesin e ndërmjetësimit ishte anëtarësimi përfundimtar në BE, si për Serbinë dhe për Kosovën. Që prej fillimit të dialogut, Brukseli kushtëzoi pranimin e të dy palëve në BE me normalizimin e marrëdhënieve mes tyre. Sidoqoftë, që nga ajo kohë, zgjerimi i BE-së kah Ballkanit Perëndimor ka humbur vrull.
Serbia ka bërë pak përparim në procesin e negociatave të pranimit me BE dhe Kosova është i vetmi vend në rajon i lënë jashtë regjimit, pa viza, të Shengenit, pavarësisht nga përmbushja e kushteve. Divergjenat, brenda vendeve anëtare të BE-së, mbi pavarësinë e Kosovës dobësojnë pozicionin e Brukselit për t’i ofruar Kosovës një perspektivë të qartë anëtarësimi. Duke qenë se integrimi në BE duket i paarritshëm për të dy vendet në të ardhmen e afërt, ka pak arsye bindëse për të hequr dorë nga pozicionet respektive.
Së treti, aktorët e fuqishëm ndërkombëtarë, si Rusia dhe Kina, janë të interesuar që dialogu të dështojë. Perëndimi e ka përdorur dialogun për të qetësuar Serbinë dhe për ta akomoduar atë brenda aleancës perëndimore. Kjo shkon kundër interesit të Rusisë për të mbajtur Serbinë dhe Ballkanin Perëndimor larg BE-së dhe NATO-s.
Në të njëjtën mënyrë, investimet fitimprurëse të Kinës në Serbi mund të ulin oreksin e kësaj të fundit për t’u bashkuar me BE-në, gjë që e vështirëson përdorimin e anëtarësimit në BE-së nga Brukseli, si shpërblim për normalizon marrëdhënieve me Kosovën.
Si përfundim, trashëgimia e luftës mbetet një pengesë në arritjen e një zgjidhjeje paqësore të qëndrueshme. Mbi 10 000 persona humbën jetën gjatë luftës në Kosovë dhe gati 1 639 të tjerë, shumica e tyre shqiptarë etnikë nga Kosova, janë ende të zhdukur. Në këtë drejtim, një lloj drejtësie tranzitore është parakusht për të shëruar plagët e së kaluarës dhe për të lehtësuar pajtimin ndëretnik.
Kryeministri i Kosovës nxorri në krye të dialogut çështjen e trajtimit të krimeve të luftës të kryera në Kosovë në vitet ’90, por Presidenti serb e hodhi menjëherë poshtë këtë propozim. Kështu, ndasitë mes Beogradit dhe Prishtinës për mizoritë e luftës mbeten probleme të spikatura.
Në rrethana të tilla, nuk ka gjasa që ky dialog i ripërtërirë, i lehtësuar nga BE-ja, të çojë në një marrëveshje paqësore dhe gjithëpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë në të ardhmen e afërt.
Altin Gjeta mban gradën Master i Arteve në Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Politikë nga Universiteti i Westminster, në Londër, ku ai u specializua në Ndërtimin e shtetit multietnik në Kosovë. Aktualisht, punon si studiues pranë Qendrës Shqiptare për Qeverisjen e Mirë, një OJQ me qendër në Tiranë.