Ish-kryeministri Sali Berisha në një intervistë për Ora News, të premten konfirmoi se nuk dorëhiqet nga mandati i deputetit dhe nuk largohet nga grupi parlamentar i PD-së. Ai tregoi se këtë vendim ia ka njoftuar edhe kryetarit të PD-së Lulzim Basha:
“PD do e sakrifikoja nëse do pranoja një akuzë të bazuar në shpifje e trillime e mashtrime. PD do e tjetërsoja nëse nuk do të mbroja dinjitetin tim e jo vetëm të çdo demokrati dhe çdo shqiptari që i thotë nderit nder e dinjitetit dinjitet.
Mos harro se në 30 vite jam njeriu i miliona votave të shqiptarëve. Më shumë se kushdo tjetër në historinë e këtij vendi.
Nëse unë do të tërhiqesha ndaj një vendimi të cilim e kam theksuar dhe e theksoj i bazuar në keqinformimin e sekretarit Blinken nga lobimi i mirëfilltë korruptiv i Edi Ramës dhe George Soros, për mua një armik i demokracisë dhe kombit shqiptar”.
Ai u shpreh se largohet vetëm nëse publikohet një dokument për përdorimin e buxhetit nga ana e tij:
“Unë jam gati të marr çdo vendim nëse paraqitet një fakt i vetëm që të faktojë se Sali Berisha ka përdorur buxhetin e shtetit për të pasuruar veten, bashkëshorten e tij, apo fëmijët e tij”.
Për komunikimin me Bashën, Berisha tregoi se:
“Zoti Basha as nuk më tha, as nuk i kërkova e as nuk më kërkoi. Qëndrimi im është i prerë. PD nuk mund të bëhet kurrë parti e dhunimit të lirive e të drejtave të qytetarëve shqiptarë e as sovranitetit të saj e të vendit.
[Basha të zgjedhë mes Berishës dhe SHBA-ve] Përkundrazi, pozita më e vështirë do të ishte nëse unë nuk do të bëja këtë që po bëj. Nuk do të qëndroja për dinjitetin njerëzor e liritë e njeriut. Një parti e cila nuk qëndron për këto parime e është themeluar mbi to meriton të mos ekzistojë. Kjo është e qartë për çdo demokrat”.
Berisha u shpreh se Ambasadorja amerikane Yuri Kim sillet si një guvernatore në vend dhe mbështet Edi Ramën:
“Unë nuk kam polemizuar, por nuk pranoj dhe nuk mund të pranoj kurrë sjelljen prej guvernatoreje/ri të cilitdo se unë besoj se një vend i lirë është vend sovran. Ata të cilët sillen si në një vend jo sovran fyejnë një popull e një vend të tërë.
S’është për mua risi pse anëson në një parti politike.Ka arsyet e veta e nuk më bën përshtypje. Është e qartë që ka bërë zgjedhje vetë të mbështetjes së Edi Ramës e partisë në pushtet, por e vërteta është që kjo mbështetje prej kaq vitesh nuk e ka bërë Shqipërinë më të mirë”.
Reforma në drejtësi u bë nga fondacioni i George Soros:
“Reforma e drejtësisë u iniciua siç pranohet universalisht nga Fondacioni i Shoqërisë së Hapur. Truri i saj u përzgjodh nga Fondacion i Shoqërisë së Hapur. Ligjet e saj me të cilat Edi Rama pasi dështoi me paketën kushtetuese u miratuan nga truri i reformës”.
Berisha gjithashtu i bëri thirrje DASH “të shtojë presionin mbi Edi Ramën dhe të bëhet vetingu i politikanëve”.
Intervistën e plotë mund ta lexoni këtu.