Qyteti i Tetovës rezulton vatra më e madhe e infeksioneve të reja të koronavirusit në Maqedoninë e Veriut.
Vetëm brenda një muaji numri i të infektuarve ka shkuar nga gjashtë në 229 të infektuar, sipas një raportimi nga Radio Evropa e Lirë.
Për shkak të përhapjes që po merr varianti Delta dhe shifrave në rritje, ministri i Shëndetësië dhe Komisioni për Sëmundjet Infektive i kanë rekomanduar qeverisë masa të reja shtrënguese në Tetovë.
Veçanërisht ata kanë propozuar ndalimin e aktiviteteve në ambiente të brendshme apo festave familjare, të cilat edhe janë identifikuar si faktor për shtimin e infektimeve.
“Objektet e hotelierisë nuk duhet të mbushin më shumë se 30% të kapaciteteve, ndërsa tavolinat nuk duhet të kenë më shumë se katër persona. Zbatimi i këtyre masave do të pasohet nga kontrolle të intensifikuara,” deklaoi ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, “pushimet verore, siç pritej, kanë sjellë një frekuencë të lartë lëvizjeje dhe për këtë arsye duhet të merren masa të caktuara për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të virusit.
Po ashtu Filipçe paralajmëroi një intensifikim të vaksinimeve, pasi të dhënat sugjerojnë sembi 90 për qind të rasteve të reja janë qytetarë të pa vaksinuar.
Në Tetovë, ashtu si në të gjithë vendin vaksinimi qëndron në norma relativisht të ulëta, krahasuar me vendet evropiane, janë vaksinuar plotësisht më pak se 20 për qind e popullsisë së rritur.
Me 379 raste aktive me COVID-19 aktualisht, Tetova ka rrëzuar Shkupin si qyteti me më shumë të infektuar qysh nga fillimi i pandemisë.