Emetimi i gazrave serë në gjithë botën duhet të ulet pas katër viteve të ardhshme, termocentralet me qymyr dhe gaz duhet të mbyllen në dekadën e ardhshme dhe ndryshimi i mënyrës së jetesës do të jetë i nevojshëm për të shmangur ndryshimin e klimës, sipas draftit të një raporti të ri nga Paneli Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike (IPCC).
Drafti është pjesa e tretë që nuk ka dalë ende e raportit nga IPCC, pjesa e parë e të cilit u botua të hënën, duke paralajmëruar ndryshime “të pashembullta” në klimë, disa prej të cilave të pakthyeshme. Raporti, i quajtur raporti i gjashtë i vlerësimit, ndahet në tri pjesë: shkenca fizike e ndryshimit të klimës; ndikimet; dhe mënyrat e zvogëlimit të ndikimit njerëzor në klimë.
Pjesa e tretë nuk është planifikuar të publikohet para marsit të ardhshëm, por një grup i vogël shkencëtarësh vendosën të zbulojnë draftin sepse kishin frikë se do të redaktohej nga qeveritë, të cilat kanë të drejtë të bëjnë ndryshime në “përmbledhjen për politikëbërësit”.
Rrjedhja e draftit erdhi përmes degës spanjolle të lëvizjes Rebelimi kundër Zhdukjes, dhe u botua për herë të parë nga gazetari Juan Bordera në revistën spanjolle online CTXT. Bordera i tha The Guardian se rrjedhja pasqyron shqetësimin e disa prej atyre që janë përfshirë në hartimin e dokumentit se përfundimet e tyre mund të zbuten para publikimit në 2022.
Emetuesit më të mëdhenj të gazërave në botë të cilët janë 10 përqindëshi i më të pasurve, janë përgjegjës për rreth 36-45% të emetimeve, që është 10 herë më shumë se 10% të më të varfërve, të cilët janë përgjegjës për vetëm rreth 3-5%, zbulon raporti.
“Modelet e konsumit të konsumatorëve me të ardhura më të larta shoqërohen me gjurmë të mëdha të karbonit. Emetuesit kryesorë dominojnë emetimet në sektorët kryesorë, për shembull 1% që janë në krye të listës përbëjnë 50% të emetimeve nga aviacioni”, thotë përmbledhja e draft raportit.
Raporti nënvizon ndryshimet e stilit të jetesës që do të jenë të nevojshme, veçanërisht në vendet e pasura dhe midis të pasurve në nivel global. Përmbajtja nga ngrohja e tepërt ose ftohja e tepërt e shtëpive, ecja dhe çiklizmi, ndërprerja e udhëtimeve ajrore dhe përdorimi më pak i pajisjeve që konsumojnë energji mund të jenë të gjitha një kontribues i madh në reduktimet e emetimeve të nevojshme, konstaton raporti.
Modelet e të ngrënit në shumë pjesë të botës së pasur gjithashtu do të duhet të ndryshojnë. “Një kalim në dietat me një përqindje më të lartë të proteinave me bazë bimore në rajonet me konsum të tepërt të kalorive dhe ushqimit me origjinë shtazore mund të çojë në ulje të konsiderueshme të emetimeve, duke siguruar edhe përfitime shëndetësore … Dietat me bazë bimore mund të zvogëlojnë emetimet deri në 50% në krahasim me dietën perëndimore mesatare të emetimit intensiv,” thuhet në raport.
Sidoqoftë, sigurimi i energjisë nga burime moderne për të gjithë ata që aktualisht nuk e kanë do të kishte një efekt “të papërfillshëm” në emetime.
Raporti riafirmon nevojën për të përgjysmuar emetimet në dekadën e ardhshme për të qëndruar brenda 1.5 gradë Celsius dhe për të arritur emetimet neto zero deri në vitin 2050.
Shkencëtarët i bëjnë jehonë këshillës së fundit nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë, se nuk mund të ndodhë asnjë zhvillim i ri i karburanteve fosile nëse bota do të qëndrojë brenda ngrohjes 1.5 gradë Celsius.
Kosotoja e zhvendosjes së teknologjisë për burimet e energjisë mund të arrijë në triliona dollarë paralajmëron raporti por ky rrezik mund të zvogëlohet duke zhvendosur investimet në mallra dhe shërbime me pak karbon.
Teknologjia për kapjen dhe ruajtjen e dioksidit të karbonit nuk ka përparuar aq shpejt sa të luajë një rol të madh akoma, konstaton raporti, por teknologjitë për të hequr dioksidin e karbonit nga atmosfera pothuajse me siguri do të ishin të nevojshme për të mbajtur ngrohjen në 1.5C.
Ka disa shkaqe për optimizëm, vëren raporti. Energjia diellore dhe e erës, dhe teknologjia e baterive, tani janë shumë më të lira, falë politikave që kanë inkurajuar përdorimin e tyre. Ulja e emetimeve të metanit do të ishte gjithashtu një kontribues i madh në zbutjen e rritjes së temperaturës.
Kujdesi më i madh për pyjet dhe tokën gjithashtu do të kontribuonte në kufizimin e rritjes së temperaturës, por nuk duhet të mbështetemi vetëm në të.