Artan Lame, drejtuesi i Agjensisë Shtetërore të Kadastrës ka akuzuar pronarët e godinës së Sarajeve për zjarrëvënie të qëllimshme, me qëllim ndalimin e shpronësimit dhe ndërtimin e kullave.
Lame lavdëroi përpjekjet e Bashkisë Tiranë dhe qeverisë për shpronësimin e Sarajeve përkundrejt dëshirës e përpjekjeve të pronarëve të godinës për ndërtim.
Në një postim në Facebook, të martën, Lame shkruan se:
“Pa dashur të nxjerr sekrete të tjera, midis tyre ishte edhe objekti i njohur si Sarajet. I thashë Erionit që isha shumë entuziast për atë gjë dhe se isha gati për çdo kontribut që do kishin nevojë për t’i dhënë udhë këtij projekti.
Më pas, Bashkia së bashku me Qeverinë, filluan procedurat aspak të lehta për shpronësimin e kësaj godine.
Them “aspak të lehta” se pronarët e godinës nuk besoj se do të ishin të kënaqur nga kjo zgjidhje.
Ata do të kishin dashur që aty të ndërtohej dhe, fitimi që do të nxirrnin nga ndërtimi, ishte shumë më i madh sesa paratë që do të merrnin nga shpronësimi. E drejtë e tyre kjo, por nga ana tjetër edhe shoqëria ka të drejtën e ruajtjes së kujtesës historike”.
Madje ai akuzon pronatë për zjarrëvënie të qëllimshme, për të ndaluar procesin e shpronësimit e ndërtuar mbi atë truall:
“Procedurat e shpronësimit, me sa jam në dijeni, janë në fazën e përmbylljes së tyre dhe ndoshta nga dikush mundësia e djegjes është parë si mundësi të fundit për t’a ndërprerë këtë proces.
Them “nga ndokush” pasi ajo godinë (si shumica e pronave të vjetra shqiptare) ka një mori bashkëpronarësh, ndër të cilët ka edhe nga ata që do të donin që trashëgimia e të parëve të tyre të përjetësohej në shërbim të qytetit, por ka edhe të tjerë që nuk bëhen merak për këtë, por do donin që të merrnin pjesën e tyre në një ndërtim hipotetik”.