Artisti i njohur Sherif Merdani është ndarë nga jeta në moshën 81-vjeçare.
Lajmin e kanë bërë të ditur miq të të ndjerit ndërsa News24 raporton se këngëtari ndërroi jetë si pasojë e një sëmundjeje të rëndë.
Merdani, një nga këngëtarët më të njohur të muzikës së lehtë shqipe, ka qenë i dënuar politik gjatë regjimit komunist. Në vitin 1973, ai u dënua sëbashku me disa kolegë pas festivalit të 11 të këngës, i cili u dënua nga udhëheqja komuniste se përmbante ‘shfaqje të huaja’.
Sherif Merdani vuajti 16 vite burg. Në vitin 1992 ai u rikthye në festivalin kombëtar me këngën “Se Kënduam Let it Be”, kushtuar atyre që vuajtën në burgje për arsye politike gjatë regjimit komunist.
Më pas gjatë viteve 90’, Merdani punoi edhe si diplomat në ambasadën shqiptare në Romë.