Matthew Palmer pritet të zëvendësohet nga zv.ambasadori i SHBA-ve në Serbi, Gabriel Escobar në postin e zv. ndihmës Sekretarit për Çështjet e Evropës dhe Euroazisë në Departamentin amerikan të Shtetit javën e ardhshme.
Lajmi u konfirmua për Radion Evropa e Lirë nga ambasada amerikane në Serbi.
Escobar pritet të marr detyrën e re, zyrtarisht, më 7 shtator.
Gabriel Escobar e ka nisur karrierën si diplomat në vitin 1998, duke shërbyer në disa pozicione në disa vende të ish-Republikës Jugosllave.
Gjatë kësaj kohe ai ka mbajtur pozicionin e shefit të stafit në Zyrën e Përfaqësuesit të Lartë në Banja Lluka të Bosnje- Hercegovinës, shefit të degës së ambasadës në Banja Lluka dhe zëvendësdrejtorit të ekipit të Zyrës Ndërlidhëse Diplomatike të SHBA-ve në Podgoricë.
Në 2001, pas rihapjes së ambasadës amerikane në Beograd, ai shërbeu si shef i Njësisë Politike.
Në Evropë ai ka shërbyer në Byronë për Çështje Evropiane, si këshilltar për çështje politike dhe ekonomike në ambasadën e Lisbonës, si zv.këshilltar politik në Romë, këshilltar politik- ushtarak në Pragë si dhe zv.konsull në Moskë.
Escobar ka mbajtur pozita drejtuese në shërbimin e jashtëm amerikan në Kubë mes viteve 2017-2018, në La Paz, Bolivi mes viteve 2014-2017, në Peshaëar, Pakistan në vitet 2013-2014, si dhe ka qënë Drejtues i Ekipit të Rindërtimit Krahinor të SHBA-ve në Kirkuk, Irak nga 2009-2010.
Ai është nderuar gjashtë herë nga Departamenti amerikan i Shtetit me Çmimin e Lartë të Nderit, një herë për Merita të Larta, për Shërbim Civil si dhe për Shërbim Ushtarak.
Në gusht të vitit 2019, Escobar u emërua në postin e zv.ambasadorit amerikan në Beograd.