Një saktësim historik dhe një perspektivë politike

Nga Genc Pollo
Një saktësim historik dhe një perspektivë politike

Refugjatët afganas po krahasohen me shqiptarët që lanë vendin duke ikur  nga sytë këmbët në vitet 1990-1991. Ky krahasim po përdoret nga propaganda e qeverisë për të ngjallur emocione pozitive dhe për të prezantuar si moralisht të justifikuar strehimin e deri 4000 refugjatëve nga Afganistani.

Si zakonisht propaganda nuk kujdeset shumë për vërtetësinë e saktësinë e narrativës së saj. Edhe ky rast nuk përbën përjashtim.

Në 90-91 regjimi komunist ishte ekonomikisht e moralisht i drobitur dhe me përjashtim të disa segmenteve të Sigurimit të Shtetit e të rojeve kufitare kishte humbur vullnetin për ushtruar “dhunë revolucionare”. Ata mijëra e mijëra njerëz të paushqyer e të veshur keq që u dyndën në anijet e ndodhura në porte apo marshuan në male e pyje për gjetur diku një jetë më të mirë nuk kërcënoheshin (më) nga internimi, burgosja e pushkatimi. Ata thjesht ishin shpresëhumbur e të dëshpëruar (çdo krahasimi me vitet e fundit nuk është ose është i rastësishëm).

Ata nuk ishin bashkëpunëtorë të shteteve të huaja me prani ushtarake, diplomatike apo ojf-iste në vend por njerëz nga të gjitha shtresat e shoqërisë (asokohe njiheshin tre: klasa punëtore, fshatarësia kooperativiste e inteligjenca popullore). 

Fillimisht ata u pranuan në shtetet fqinjë (Greqi, Itali e më tej në Europë); por kur u duk se u teprua me numrat e mjetet si në gusht 91 u kthyen me forcë në Rinas përmes një ure ajrore.

Ndryshe nga refugjatët afganas atyre nuk ju ofrua evakuim me avion nga shtete të huaja dhe as nuk u pritën e përshëndetën në aeroport nga qeveritarë siç po shohim me kryeministrin ekzibicionist; ata u ndihmuan pjesërisht nga strukturat shtetërore e më së shumti nga qasja karitative e shoqërive në vendet strehuese.

Krahasimet historike çalojnë në përgjithësi. Por nëse duhet patjetër të gjejmë një paralele shqiptare me minieksodin në Afganistan më e afërta që gjëndet është ajo e viteve 1944-1946. Ata që kolaboruan me Wehrmacht-in e autoritetet  gjermane pjesërisht ikën nga deti e toka brenda vitit 1944. Ata që punuan me misionet anglo-amerikane pjesërisht mundën të largoheshin deri në vitin 1946. Ata që mbetën vuajtën keq pasojat e një vrulli ideologjik totalitar e çnjerëzor shumë të ngjashëm me atë të talebanëve në vitet 90.

E vetmja gjë për të cilën tashti mund të shpresojmë e lipset të lutemi është që talebanët e vitit 2021 të jenë më pak dogmatikë e më shumë njerëzorë.

Përveçse të shpresojmë e të lutemi lipset edhe të veprojmë që projekte idealiste të Perëndimit, si ai që filloi në v. 2001 në Afganistan, të mos dështojnë si pasojë e inkompetencës, paqartësisë, miopisë e korrupsionit. 

Për këtë sfidat i kemi këtu, në vendin tonë duke mos harruar se i zoti e nxjerr gomarin nga balta.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>