Autoritetet japoneze kanë identifikuar të martën një tjetër grup vaksinash Moderna, të cilat dyshohen si të ndotura.
Ndotja e prezumuar u konstatua në një dozë vaksine nga një farmacist në prefekturën Kanagawa, i cili më pas njoftoi autoritetet vendore raporton Reuters.
Këto të fundit pezulluan administrimin e gjithë serisë së vaksinave Moderna, së cilës i përkiste doza e ndotur.
Javën e kaluar vendi ndaloi përdorimin e rreth 1,63 miliona dozave të vaksinës Moderna, të cilat përmbanin grimca metalike.
Vendimi erdhi pavarësisht se ndotja e pretenduar mbetet ende e pakonfirmuar.
Kompania Moderna e përshkroi substancën e gjetur si “lëndë grimcore” që nuk paraqet problem për sigurinë e vaksinës apo për efikasitetin e saj.
Autoritetet japoneze kanë udhëzuar stafet mjekësore që të kontrollojnë dozat e vaksinave para administrimit.
Pezullimi i vaksinave përbën një pengesë për fushatën e vaksinimit në vend, por edhe më gjerë.
Shpesh here raporte për ndotje të vaksinave, të cilat mund të jenë të kufizuara në një seri vaksinash, mund të jenë të pakonfirmuara apo të padëmshme, përdoren nga konspiracionistët për t’u fryrë teorive dhe lajmeve të rreme mbi sa të dëmshme janë vaksinat.