Talibanët kanë shpallur një qeveri të përkohshme në Afganistan, duke e shpallur vendin një “Emirat Islamik”.
Qeveria do të udhëhiqet nga Mulla Mohammad Hassan Akhund, një nga themeluesit e talibanëve, i cili është në listën e zezë të OKB-së.
Ministri i Brendshëm do të jetë Sirajuddin Haqqani, lider i grupit paramilitar Haqqani, i kërkuar nga FBI.
Në një deklaratë në emër të udhëheqësit suprem të talebanëve Mawlawi Hibatullah Akhundzada i bëhet thirrje qeverisë të respektojë ligjin e Sheriatit.
Talibanët duan “marrëdhënie të forta dhe të shëndetshme me fqinjët tanë dhe vendet e tjera të bazuara në respekt dhe ndërveprim reciprok”, thuhet në deklaratën e publikuar në gjuhën angleze, me paralajmërimin se ata do të respektojnë ligjet dhe traktatet ndërkombëtare “që nuk janë në konflikt me ligjin islam dhe vlerat kombëtare të vendit ”.
Hibatullah Akhundzada nuk ka bërë asnjëherë dalje publike. Ky është mesazhi i parë që vjen nga ai që kur talebanët morën kontrollin e Afganistanit.
Talibanët kanë thënë më parë se donin të formonin një qeveri gjithëpërfshirëse. Megjithatë, të gjithë ministrat e kabinetit të shpallur të martën janë udhëheqës të lartë të talibanëve.
Hassan Akhund, kryeministri i ri, shërbeu si zëvendësministër i jashtëm në periudhën 1996 – 2001.
Sirajuddin Haqqani, ministri i ri i brendshëm, është kreu i grupit militant të njohur si rrjeti Haqqani të cilët janë të lidhur me talebanët dhe kanë qenë pas disa sulmeve vdekjeprurëse përfshi një shpërthim në Kabul në 2017 që vrau më shumë se 150 njerëz.
Grupi Haqqani është shpallur organizatë e huaj terroriste nga SHBA. Ai gjithashtu mban lidhje të ngushta me al-Kaedën.
Sipas FBI-së Sirajuddin Haqqani kërkohet për një sulm në janar 2008 në një hotel në Kabul që vrau gjashtë persona.
Ai dyshohet të ketë koordinuar dhe marrë pjesë në sulmet kundër Shteteve të Bashkuara dhe forcave të perëndimit në Afganistan. Haqqani gjithashtu dyshohet se ishte përfshirë në planifikimin e tentativës së atentatit ndaj ish-Presidentit afgan Hamid Karzai në 2008.
Rrjeti Haqqani gjithashtu është fajësuar për një sulm ndaj ambasadës amerikane dhe bazave të NATO-s në Kabul më 12 shtator 2011. Tetë persona u vranë në atë sulm.
Emërimet e tjera në qeverinë e re përfshijnë
Mullah Yaqoob si ministër i mbrojtjes. Ai është djali i themeluesit të talebanëve dhe ish-udhëheqësit suprem, Mullah Omar.
Bashkëthemeluesi i talebanëve, Mullah Abdul Ghani Baradar do të jetë një nga zv.kryeministrat. Baradar ishte më parë shef i zyrës politike të talebanëve dhe mbikëqyri nënshkrimin e marrëveshjes së tërheqjes amerikane vitin e kaluar.
I pyetur pse nuk janë përfshirë gra në qeveri, një zyrtar i talebanëve tha për BBC-së se kabineti nuk ishte finalizuar ende.