Trupat izraelite arrestuan të paktën pesë anëtarë të familjes së palestinezëve që u arratisën nga një burg i sigurisë së lartë këtë javë, njoftoi France24.
Gjashtë palestinezët u arratisën të hënën nga një vrimë e hapur nën një lavaman në burgun Gilboa në Izraelin verior.
Izraeli ka vendosur dronë, pika kontrolli dhe një mision ushtarak në Jenin, qytet në Bregun Perëndimor.
Grupi palestinez i të Burgosurve njoftoi se dy vëllezërit e Mahmud Ardah, organizatori i arratisjes, janë arrestuar.
Amani Sarahneh, një zëdhënëse e grupit të të burgosurve, i tha AFP se edhe të tjerët mund të jenë arrestuar, ndërsa disa ishin ndaluar vetëm për pak kohë.
E pyetur nga AFP, ushtria izraelite – e cila ka pushtuar Bregun Perëndimor që nga viti 1967 – tha se “disa arrestime u bënë brenda natës”, pa dhënë më shumë hollësi.