Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken u bëri thirrje talebanëve të lejojnë fluturimet çarter për transportimin e amerikanëve dhe afganëve në rrezik të largohen nga Afganistani.
Aeroplanët e dërguar për të transportuar njerëz jashtë Afganistanit kanë ngecur në Aeroportin Ndërkombëtar Mazar-i-Sharif.
Disa organizatorë të fluturimeve thanë se Departamenti i Shtetit nuk po bënte sa duhet për të lehtësuar largimin e tyre.
Blinken tha se Shtetet e Bashkuara po bënin gjithçka për të nisur fluturimet, por talebanët nuk po i lejonin.
“Ne ua kemi bërë të qartë të gjitha palëve, u kemi bërë të qartë talebanëve se këto avionë duhet të jenë në gjendje të largohen,” tha Blinken në një konferencë shtypi në Gjermani.