Maqedonia e Veriut ka kërkuar ndihmën e Bashkimit Evropian dhe NATO-s për të hetuar zjarrin që shpërtheu në spitalin COVID të Tetovës ku humbën jetën 14 persona dhe u plagosën 12 të tjerë.
Zv.kryeministri Artan Grupi tha kërkesa për ndihmë është bërë që “të mos lihet asnjë fije dyshimi dhe të zbardhet gjithçka lidhur me këtë rast”.
Sipas Grubit, në mbledhjen e qeverisë është konstatuar se spitali ishte ngritur bazuar në standardet e nevojshme.
Këshilli i Komunës së Tetovës ka shpallur tre ditë zie për viktimat e tragjedisë në spitalin COVID ku humbën jetën 14 persona si pasojë e flakëve që shpërthyen mbrëmjen e së mërkurës.
Shkaqet e zjarrit nuk janë përcaktuar ende por dyshohet se ai ka ardhur si pasojë e shpërthimit të bombolave të gazit apo oksigjenit.
Spitali për tajtimin e pacientëve të sëmurë me COVID-19 ishte ndërtuar muajt e fundit dhe dy javë më parë ishin dëmtuar instalimet e oksigjenit.