Jep dorëheqjen për zjarrin në spitalin e Tetovës ministri maqedonas i Shëndetësisë

Nga Exit News
Jep dorëheqjen për zjarrin në spitalin e Tetovës ministri maqedonas i Shëndetësisë

Ministri i Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe dha të shtunën dorëheqjen për shkak zjarrit që ra në spitalin e Tetovës dy ditë më parë, me pasojë 14 viktima.

“Si mjek dhe ministër kam integritetin tim, për këtë, sot, për arsye morale, kam dorëzuar me shkrim dorëheqjen time deri të kryeministri Zoran Zaev” deklaroi Filipçe në një konferencë për mediat.

Një ditë më parë kishte dhënë dorëheqjen edhe zëvendësministri i Shëndetësisë, Ilir Hasani, drejtori i spitalit të Tetovës, Florin Besimi dhe shefi ekonomik i Spitalit, Artan Etemi.

Hasani, në profilin e tij në Facebook shkruajti se merrte përgjegjësi morale për ngjarjen, në respekt të viktimave.

“Edhe përkundër faktit se nuk kam asnjë lidhje me procedurat vënjes së spitalit modular, edhe pse nuk kam asnjë lidhje as me pjesën organizative, dorëheqja është akti më i vogël që mund ta bëj në këto momente, për të respektuar viktimat, të lënduarit, opinionit dhe më së shumti veten”, ka shkruar Hasani.

Qëndrim të njëjtë mbajti edhe drejtori i Spitalit të Tetovës, Florin Besimi, i cili deklaroi se dorëheqja ishte e pashmangshme pas ngjarjes tragjike.

“Me dhimbje të pashuar për çdo viktimë dhe çdo familjarë të tyre, ju informoj se për shkak të kësaj përgjegjësie morale që e ndjej, jap dorëheqje nga pozita e drejtorit të Spitalit Klinik në Tetovë. Pas kësaj ngjarje të tillë tragjike dhe fatkeqe, ky vendim është i pashmangshëm,”tha ai në një postim në mediat sociale.

Rrokada ndër zyrtarët e Shëndetësisë mendohet të ketë ardhur si pasojë e protestave të paralajmëruara ditën e shtunë në Tetovë.

Partia opozitare VMNO-DPMNE u shpreh në vijim se dorëheqjet e deritanishme nuk mjaftojnë dhe kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Zaev.

“Vetëm dorëheqja e Filipçes nuk mjafton, nevojitet dorëheqje e Zoran Zaevit i cili është pjesa qendrore e piramidës së mos funksionimit të sistemit. Vetëm dorëheqja e Zaevit do të garantojë hetim të pavarur dhe objektiv,” citohet deklarata e VMNO-DPMNE nga media vendase Alsat.

Ndërkohë, Këshilli i Komunës së Tetovës ka shpallur tre ditë zie për viktimat e tragjedisë në spitalin COVID ku humbën jetën 14 persona si pasojë e flakëve që shpërthyen mbrëmjen e së mërkurës.

Maqedonia e Veriut ka kërkuar ndihmën e Bashkimit Evropian dhe NATO-s për të hetuar ngjarjen, pasi pretendon se spitali ishte ndërtuar sipas standardeve.

Shkaqet e zjarrit nuk janë përcaktuar ende por dyshohet se ai ka ardhur si pasojë e shpërthimit të bombolave të gazit apo oksigjenit.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>