Gjendet trupi i pajetë i minatorit Muharrem Plaku

Nga Exit News
Gjendet trupi i pajetë i minatorit Muharrem Plaku

Orët e para të mëngjesit të së hënës u arrit të gjendet trupi i pajetë i minatorit Muharrem Plaku, 61 vjeç, bllokuar në një nga minierat e Bulqizës prej pesë ditëve.

Plaku, me profesion teknik miniere, u bllokua të mërkurën pas rënies së një masivi minerali në galerinë e kompanisë “Kaduretex Sh.p.k”.

Trupi i tij u trasportua në morgun e qytetit të Bulqizës, ndërkohë që operacioni i shpëtimit eci me ritme të ngadalta për shkak të rrezikshmërisë që terreni paraqeste për grupet e emergjencës.

Autoriteti për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera njoftoi për përpjekjet për gjetjen e minatorit, vetëm pas ditësh nga bllokimi i tij në minierë, pas interesimit në rritje të gazetarëve dhe aktivistëve.

Në njoftim, Autoriteti dukej se justifikonte kompaninë “Kaduretex Sh.p.k”, duke deklaruar se Plaku “ka hyrë në zonën e shfrytëzimit, në një hapësirë të vjetër”.

Ndërkohë, nuk bëri me dije nëse ishte kryer një hetim mbi kushtet e sigurisë në këtë hapsirë të vjetër.

Sindikata e Minatorëve të Bulqizës i ka kërkuar vazhdimisht qeverisë të marrë masa për kushtet e punës së minatorëve.

Prej fillimit të vitit 2021, janë plagosur 8 minatorë në galeritë e minierave.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>