Kryeministri hollandez, Mark Rutte do të vizitojë Shqipërinë më 10 nëntor.
Lajmi u bë i ditur nga kryeministri Edi Rama, i cili tha se ishte takuar me Rutte në selinë e OKB-së në Neë York.
“Në selinë e OKB me kryeministrin e Mbretërisë së Hollandës, Mark Rutte, i cili do të vizitojë Shqipërinë në 10 nëntor, ” shkruan Rama në një postim në rrjetin Facebook.
Rama shtoi se qëllimi i vizitës ishte rikonfirmimi i mbështetjes së Hollandës për hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE-në.
Qeveria holandeze më 4 qershor mbështeti përfundimin e Komisionit Europian se Shqipëria ka bërë përparim të mjaftueshëm për përmbushjen e kushteve të vëna nga Këshilli Europian për mbajtjen e KNQ-së.
Në raportin për parlamentin, qeveria holandeze analizoi gjetjet e Komisionit për secilin nga kushtet dhe ra dakord me Komisionin se kushtet janë përmbushur të gjitha.