Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen mbërrin të martën në Shqipëri, ndalesa e parë e turit të saj në vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Vizita e von der Leyen vjen një javë para samitit të BE dhe Ballkanit Perëndimor i cili do të mbahet më 6 tetor.
Presidentja e KE do të pritet nga Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti Ilir Meta.
Zyra e BE në Tiranë njofton se von der Leyen do të marrë pjesë në përurimin e shkollës “Korb Muça” dhe kopshtit “Evropa”, të cilat janë ndërtuar me fondet e BE-së pas tërmetit të nëntorit 2019.
Von der Leyen e paralajmëroi vizitën në vendet e Ballkanit Perëndimor gjatë fjalimit të saj të përvitshëm në Parlamentin Europian.
Vizita e von der Leyen vjen në një moment kur Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut presin miratimin e hapjes së negociatave pasi procesi është bllokuar dy herë nga vetoja e Bullgarisë ndaj Shkupit, megjithëse vendet e tjera anëtare kishin rënë dakord që dy vendeve t’i jepet drita jeshile.
Kjo ka rritur shqetësimet e Brukselit se ndjenja anti-europiane mund të përhapen në popujt e këtyre vendeve duke minuar projektin e zgjerimit të BE në Ballkanin Perëndimor.