Institucionet e Arsimit të Lartë nuk kanë detyrim të krijojnë mënyra alternative për ofrimin e studimit për studentët e pa vaksinuar kundër COVID-19 sipas urdhrit të fundit të Ministrisë së Shëndetësisë.
Ministria vendosi të ndryshojë urdhërin “për marrjen e masave, për parandalimin e infeksionit covid-19, për personelin e institucioneve arsimore dhe studentët” duke riformuluar pikën që detyron universitetet të garantojnë mënyra alternative mësimi për studentët e pavaksinuar.
Konkretisht, urdhri i ndryshuar i ministrisë kërkon:
“Studentët duhet të paraqesin certifikatën e vaksinimit COVID-19 apo kartën e vaksinimit, për të hyrë në institucionet e arsimit të lartë, duke filluar nga data 11.10.2021”
Në këtë mënyrë, studentët që nuk paraqesin certifikatën e vaksinimit nuk mund të futen në auditore dhe tashmë është në dorën e universiteteve për të garantuar mësimin në mënyra alternative.