Të mërkurën, Parlamenti Europian diskutoi mbi një reformë në sektorin e gazit, ndërkohë që kërkesa dhe çmimi i tij kanë pësuar rritje të qëndrueshme vitin e fundit.
Komisioneri Evropian i Energjisë, Kadri Simson deklaroi se vendet evropiane kanë gaz mjaftueshëm për dimrin, por rritja e çmimeve tregon nevojën për të kaluar shpejt drejt burimeve të rinovueshme dhe për të reformuar tregun e gazit në BE.
“Magazinimi nëntokësor i gazit është në nivele mbi 75% në të gjithë Evropën. Ky nivel është më i ulët se mesatarja dhjetëvjeçare, por i përshtatshëm për të mbuluar nevojat e stinës së dimrit,” citohet Simon në një raportim të Reuters.
Ajo shtoi se së shpejti do të paraqiste një plan për të reformuar tregun e gazit.
“Deri në fund të vitit, do të propozoj një reformë në tregun e gazit dhe do të rishikoj në atë kontekst çështjet rreth ruajtjes dhe sigurisë së furnizimit,” pohoi Simon.
Spanja ka propozuar që BE -ja të blejë gaz në bllok, duke përfituar nga fuqia e tregut të saj prej 450 milionë konsumatorësh për të krijuar një rezervë strategjike të gazit.
Simson tha se prokurimi dhe ruajtja e përbashkët ia vlen të analizohen.
Ndërkohë, sipas saj, përgjigja afatgjatë ndaj rritjes së çmimeve të gazit ishte mbështetja më e madhe në burimet e rinovueshme, në tërma afatëshkurtër ajo u sugjeroi qeverive të vendeve anëtarë të subvenciononin rritjen e çmmit për shtreast në nevojë dhe të ulnin çmimin e energjisë.
“Për të ndihmuar qytetarët, qeveritë mund të përdorin disa nga paratë nga shitja e lejeve të karbonit sipas Sistemit të Tregtimit të Emetimeve”, tha ajo.
Simson, njëkohësisht, këshilloi autoritetet e konkurrencës të frenojnë spekulimet në tregjet e energjisë.
Ajo shtoi se BE-ja duhet të zhvillonte politika të përbashkëta dhe të merrte parasysh edhe rolin gjeopolitik që luante energjia, duke aluduar për rritjen e varësisë së vendeve nga furnizimi nga Rusia si ndër prodhuesit kryesor të gazit.
“Ne gjithashtu duhet të mbajmë parasysh rëndësinë e gjeopolitikës së energjisë dhe të zhvillojmë një qasje më strategjike ndaj politikës së jashtme të energjisë,” tha Simson.