Vetëm pak ditë nga mbyllja e regjistrimit të përgjithshëm të popullsisë në Serbi, Presidenti Bajram Begaj ka pritur në zyrën e tij një delegacion shqiptar nga Lugina e Preshevës.
Në të delegacion kishte përfaqësues vetëm nga dy tre komunat me popullsi shqiptare, nga Komuna e Preshëvës dhe e Bujanocit, por jo nga ajo e Medvegjës.
Mungesa e ftesës për shqiptarët e kësaj komune të rëndësishme la përshtypje negative dhe është pritur me komente e reagime të forta.
Numri i popullsisë shqiptare në Medvegjë ka ardhur duke u ulur vitet e fundit, ndërkohë që Serbia po përpiqet të minojë identifikimin e shqiptarëve atje për ta deklaruar komunën me një popullsi të papërfillshme shqiptare.
Me këtë qëllim, autoritetet Serbe tentojnë ta anashkalojë atë me të gjitha format e mundshme. Fatkeqësisht të njëjtën gjë ka bërë edhe presidenti Begaj, duke u bërë pjesë e kësaj fushate të injorimit të Medvegjës.
“Kjo është pjesë e luftës hibride—thotë Muharrem Salihu, Kryetar i Forumit Shqiptar për Zhvillim Ekonomik në Serbi. Pjesëmarrja ka rëndësi të madhe e në këtë rast jetik për Medvegjën. Jo vetëm tani, por vazhdimisht Medvegja anashkalohet nëpër këto takime.”
Sami Salihu, Kryetari Kuvendit të Komunës në Preshevë i pranishëm në takimin me Presidentin Begej mendon se do ishtë një sinjal i mirë sikur të kishte të paktën një përfaqësues të pranishëm nga Medvegja.
“Vlerësoj nëse Presheva dhe Bujanoci këto momente po ndihen të entuziazmuar nga numri i banorëve dhe regjistrimi i fundit, jo pa dashje mund të them që Medvegja është në një zi përsa i përket regjistrimit—thotë i brengosur Salihu—duke pasur parasysh se në vitin 1981 atje jetonin afërsisht 6000 shqiptarë, kurse sot numri është për të ardhur keq dhe gjithë ajo krahinë shqiptare është spastruar.
Si duket tashmë është arritur qëllimi, por nuk është e hijshme që të mos ketë vëmendjen e shtetit shqiptar dhe të mos ketë as vëmendjen e politikës së Bujanocit dhe Preshevës,“ përfundon ai.
Edhe Kushtrim Kadriu, kryetari i Lëvizjes “Vatra” mendon se mungesa e një përfaqësuesi nga Medvegja është një gjë shumë e gabuar.
“Këtu shohim një krijim të madh të amullisë nga zyra e Presidentit të tanishëm të Republikës së Shqipërisë dhe mbi të gjitha fakti se mungesa e përfaqësuesve nga Medvegja është turpshme e papranueshme.”
Theksojmë se Medvegja është një komunë me një hapësirë territorial prej 524 km2 dhe synimi i qeverisë Serbe në shekuj ka qënë zaptimi i territoreve shqiptare duke reduktuar popullsinë shqiptare me të gjitha mënyrat e mundshme.
“Vetë fakti që nuk ftohet Medvegja që është gjysma e territorit nuk është aspak serioze, dhe ky takim nuk është aspak serioz”— thekson Muharrem Salihu.
“Presidenti i Republikës së Shqipërisë do duhej ta trajtonte këtë takim si një takim në prag të zgjedhjeve për Këshillin Nacional, pasi aty mbizotëronin përfaqësues të Këshillit dhe nuk mund ta trajtonte si një takim me përfaqësuesit nga Lugina e Preshevës me qëllim për të qarë hallet e shqiptarëve, pasi nuk ishte i tillë.
Nëse ata duan të vazhdojnë me kriterin e numrave, unë vazhdoj të insistoj me kriterin e sipërfaqeve, të territoreve sepse lufta po bëhet për terrritore dhe jo për njerëz,” përfundon Salihu.