Pothuajse 70% e punëtorëve shqiptarë hasin vështirësi në plotësimin e nevojave të tyre mujore, përqindja më e lartë në Europë, sipas një studimi të Komisionit Europian.
Gjetjet u publikuan në një raport të fundit mbi kushtet e punës dhe implikimet e ardhshme. Anketa kryhet një herë në pesë vjet përmes anketave të 70,000 punëtorëve në 36 vende evropiane.
Këtu përfshihen shtetet anëtare të BE-së, plus Mbretëria e Bashkuar, Norvegjia, Zvicra, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.
Pas Shqipërisë renditen vendet e tjera të Ballkanit, por ato ende kanë një rezultat dukshëm të ndryshëm nga Shqipëria. Vendi i dytë ku punonjësit raportojnë se nuk arrijnë të plotësojnë nevojat e tyre mujore është Kosova, me 57% të të punësuarve, e ndjekur nga Mali i Zi, Serbia dhe Maqedonia e Veriut në afërsisht të njëjtat nivele dhe Bosnje-Hercegovina me 54%.
Sondazhi u kërkoi të anketuarve të vlerësonin aftësinë e familjes së tyre për të përballuar jetesën, duke marrë parasysh të ardhurat totale mujore nga burime të ndryshme në një shkallë gjashtëpikëshe nga “shumë e lehtë” në “me shumë vështirësi”.
Dallimet varionin shumë në vende të ndryshme për sa i përket përqindjes së punëtorëve që luftonin për të përballuar jetesën, duke filluar nga 5% në Danimarkë në 69% në Shqipëri.
Bullgaria ishte shteti anëtar i BE-së me përqindjen më të lartë të punëtorëve në vështirësi ekonomike, me 42% që e kishin të vështirë të përballonin bukën e gojës.
Ky artikull është realizuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian, në kuadër të Projektit “Reporting Diversity Network 2.0”, nën skemën e mbështetjes së granteve të vogla.
Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e “New Policy Group” dhe, si e tillë, nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian apo të Rrjetit të Raportimit të Diversitetit 2.0.