Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi sot në mbrëmje vendimin për parkimin me pagesë në qytet. Vendimi u miratua vetëm me votat e shumicës PS-LSI. Këshilltarët opozitarë, pasi u shprehën kundër projektit, bojkotuan votimin e tij.
Debati për vendosjen e tarifave për parkimin në çdo rrugë të Tiranës ka zgjatur rreth tre orë. Opozita, por në fillim të seancës, dhe këshilltarët e LSI-së, u shprehën hapur kundër tarifave, duke i konsideruar ato të larta. Pas një ndërprerjeje të papritur, këshilltarët e LSI-së ndryshuan qëndrim dhe e votuan vendimin.
Kryetari i Bashkisë Veliaj u shpreh gjatë mbrojtjes së propozimit të tij se menaxhimi i parkimeve publike është domosdoshmëri. Ai deklaroi se banorët rezidentë do të parkojnë falas pranë banesave të tyre, por ende nuk dihet si do të realizohet kjo.
Me projektin e miratuar, Tirana do të ndahet në tre zona, me tarifa që ndryshojnë nga 20 lekë deri në 100 lekë për një orë.