Të miturit shqiptarë që kanë emigruar të pashoqëruar në Itali renditen të dytët mes të rinjve të gjithë botës. Raporti për emigrimin e të miturve është publikuar nga Save the Children në Itali.
Deri në prill 2016, 1453 fëmijë të mitur kanë kërkuar strehim në institucionet italiane ose 12, 5 për qind e totalit. Krahasuar më prillin e 2015-tës, numri i të miturve është rritur me 15 përqind.
Shqipëria lë pas Eritrenë, e cila në total ka 1465 të mitur, 12 fëmijë më tepër.
Grupmosha 15-17 vjec përbën numrin të madh dhe rajonet më të preferuara për to janë Toskana dhe Emilia Romana.
Sipas raportit, shumica e të rinjve janë nga qytetet e Elbasanit, Fierit, Vlorës dhe nga zonat periferike të këtyre qyteteve.
Nga intervistat me të miturit, shkaqet ekonomike janë ato që i kanë detyruar të emigrojnë për të punuar për veten dhe për të ndihmuar familjen.
Në shumicën e rasteve, fëmijët nuk japin të dhëna për identitetin e tyre apo të familjeve duke detyruar institucionet italiane që t’i strehojnë, ushqejnë dhe integrojnë në shoqëri.
Që në dhjetor të vitit të shkuar, zëvendës presidentja e prefekturës së Emilia Romanjës, Elisabetta Gualmini dha alarmin për numrin e lartë të të miturve shqiptarë dhe i kërkoi autoriteteve italiane dhe shqiptare të ndërhynin për identifikimin e fëmijëve dhe riatdhesimin e tyre. Por shifrat në rritje që prej vitit të kaluar tregojnë se qeveritë nuk kanë marrë masa.