Shkolla dixhitale shkëlqen, por a është flori?

Nga Enkelejda Kapia
Shkolla dixhitale shkëlqen, por a është flori?

Shkolla dixhitale, e reklamuar qysh vjet nga Kryeministri Rama dhe Ministrja e Arsimit Nikolla si shkolla inteligjente e së ardhmes, duket si një revolucion. Por ç’është shkolla dixhitale? Cili është qëllimi parësor i saj? Sa e suksesshme është kjo lloj shkolle në botë?

Shkolla dixhitale është një koncept relativisht i rinë arsimin botëror. Megjithatë, në Evropë pothuajse çdo vend evropian ka një nismë për dixhitalizimin e shkollës së tij dhe shumë vende kanë plane kombëtare në këtë fushë si: Italia, Gjermania, Franca, Holanda etj.

Edhe në SHBA, administrata Obama ka nisur prej disa vitesh një nismë për futjen e burimeve dixhitale në mësimdhënie dhe mësimnxënie në të gjitha shkollat amerikane.

Në këtë artikull, ne do të trajtojmë kryesisht rastin e Francës, si një shembull i të mesmes së artë midis sistemit arsimor tradicional dhe sistemit arsimor progresist.

Ministria e Arsimit të Francës e ka filluar projektin e saj për shkollën dixhitale, të quajtur École Numérique, në maj të vitit 2015, pas një deklarimi televiziv të Presidentit Hollande në nëntor 2014. Ministria e Arsimit në Francë i ka kushtuar një faqe të veçantë në Rrjet nismës së saj. Në këtë faqe të gjithë mund të informohen mbi arsyet e ndërmarrjes së nismës dixhitale, me planin afatshkurtër e afatgjatë të kësaj nisme, të shoqëruar me shpjegime të shumta për specialistët, por edhe për qytetarët.

Plani i detajuar i Ministrisë së Arsimit në Francë të tregon çdo veprim që është planifikuar të ndodhë çdo disa muaj, dhe shpeshherë çdo muaj, qysh kur kjo nismë filloi dhe deri në fund të vitit 2019, kur pritet të mbarojë. Faqja përmban edhe një hartë me të dhëna konkrete nga shkollat në të cilat po provohet ky projekt në Francë.

Ajo që të ngërthen më shumë në shpjegimin e kujdesshëm në faqen e Ministrisë franceze të Arsimit është përkufizimi i shkollës dixhitale, të cilin e citoj më poshtë:

Burimet e reja dixhitale si edhe programet telekomunikative do t’u jepen falas mësuesve dhe studentëve. Këto burime do të mbulojnë pesë lëndë themeltare: frëngjishten, matematikën, shkencën, gjeografinë, dhe gjuhët e huaja. Burimet dixhitale do të ndihmojnë mësuesit të plotësoojnë dhe pasurojnë lëndët e tyre, si edhe aktivitetet që u ofrojnë nxënësve. Ato do t’i lejojnë nxënësit që të kenë në dispozicionin e tyre materiale multimediale për të mësuar, për të praktikuar, për të përsëritur si në klasë ashtu edhe në shtëpi.

Pra, këtu theksohet që materialet dhe burimet dixhitale do të plotësojnë dhe pasurojnë lëndën, si edhe aktivitetet që mësuesi bën gjatë orës së mësimit ose jashtë saj. Ky përkufizim i dixhitalizmit të shkollës ndryshon thelbësisht nga ai i tanishmi në shkollën tonë. Tek ne duket që shkolla dixhitale është “përkthyer” thjesht në shkollë që do përdorë tekste dixhitale, duke e zëvendësuar tekstin klasik me atë dixhital, përderisa katalogu i librave nga Ministria sivjet përmbante vetëm alternativat dixhitale dhe i detyronte mësuesit të zgjidhnin ose dixhitalin ose klasikun, por jo të dyja bashkë, duke e parë dixhitalin jo si suplementar të klasikut, por si njësi e mëvetësishme që nuk ka nevojë për tekstin klasik. Kjo e bën përkufizimin e shkollës dixhitale në Shqipëri të ndryshëm në thelb nga përkufizimi i të njëjtës dukuri që po ndodh në Francë.

Ministria në Francë ka ngritur edhe një faqe tjetër në rrjet të quajtur La Concertation Nationale sur le Numérique de l’Éducation (Këshillimi kombëtar për dixhitalizmin e arsimit), në të cilën çdokush mund të futet dhe të ndajë në mënyrë anonime me publikun dhe ministrinë përvojën e tij apo saj si nxënës, mësues, prind, qytetar, specialist i arsimit etj. Në këtë faqe, dhe në raportet e Ministrisë së Arsimit në Francë, mësohet se vetëm 10 për qind e mësuesve e përdorin në fakt teknologjinë në lëndët e tyre, dhe, edhe në këto raste jo pa probleme.

Ndërkohë, në Shqipëri Ministria e Arsimit nuk ka bërë publik asnjë të dhënë mbi projektin e shkollës dixhitale, nuk ka asnjë publikim dhe asnjë burim informacioni në rrjet apo diku tjetër—ndaj është shumë e vështirë të gjesh informacione konkrete mbi shkollat pilote që marrin pjesë në projekt, fondet e përdoruara për zbatimin e tij, ecurinë dhe mbarëvajtjen e projektit, opinione dhe mendime nga individë të interesuar apo grupe interesi.

Tek ne mungon, gjithashtu, dialogu, mendimet zyrtare, publike apo profesionale për dixhitalizimin e shkollës, jo vetëm në kuadrin e asaj që po ndodh realisht në shkollat pilote të këtij projekti, por edhe në kontekstin e pedagogjisë. E thënë ndryshe, ç’do të thotë të dixhitalizosh arsimin? Si përkthehet kjo në terma praktike? Ç’mendim kanë specialistët e fushave të ndryshme për këtë gjë? Për shembull, a ka të njëjtën domethënie teorike dhe praktike dixhitalizimi i lëndës së biologjisë me dixhitalizimin e, le të themi, lëndës së gjuhës shqipe? Po? Jo? Si bëhet dhe ç’nënkupton ky dixhitalizim për secilën lëndë dhe për çdo grupmoshë? E shumë e shumë pyetje të tjera të cilat kanë rëndësi të jashtëzakonshme në kontekstin tonë fillestar.

Pavarësisht qëllimit të mirë, shkolla dixhitale, e cila në pothuajse të gjitha rastet nënkupton pasurimin e burimeve aktuale arsimore me anë të teknologjisë dhe jo zëvendësimin e saj me teknologjinë, ka rezultuar problematike si në vendet me arsim të zhvilluar teknologjik, ashtu edhe në vendet me arsim të prapambetur teknologjik.

Për ilustrim, problemet për dixhitalizmin e shkollës në Gjermani janë mbuluar gjerësisht nga media. Për të krijuar një ide të këtyre problemeve lexoni këtë artikull të Die Welt.

Më poshtë po renditim disa nga arsyet përse libri dixhital nuk është zgjedhje optimale:

  1. Përdorimi i platformave dixhitale është super i kushtueshëm. Kjo për vetë arsyen sepse dixhitalizmi kërkon që shkollat, mësuesit dhe nxënësit të pajisen me “hardware” dhe “software”, kërkon që të ndërtohet infrastruktura e domosdoshme e rrjetit, kërkon trajnime të personelit akademik dhe administrues që çdo gjë të shkojë mirë. Interesant është fakti që kostot e implementimit të teksteve dixhitale në tabletat personale të nxënësve dhe mësuesve janë pothuajse 552 për qind më të larta se sa ato të librave të shtypur.
  1. Tekstet dixhitale janë shpërqendrues dhe nuk e lejojnë nxënësin të përqendrohet tek mësimi aq mirë sa e lejojnë librat e shtypur. Vërtet sot nxënësit dhe rinia, në përgjithësi, janë të dhënë pas aplikacioneve dixhitale, rrjetit, programeve telekomunikative etj. Por kur anketohen mësuesit dhe prindërit rreth këtij obsesioni të të rinjve, të gjithë mendojnë që teknologjia dixhitale e kohëve tona po e kthen brezin e ri në një brez me probleme përqendrimi dhe probleme vëmendjeje.
  1. Aftësia e të kuptuarit është shumë herë më e zhvilluar kur nxënësit lexojnë libra të shtypur sesa kur lexojnë libra dixhitalë. Kjo për vetë arsyen sepse truri e interpreton materialin dixhital ndryshe nga ç’interpreton materialin e shtypur. Truri e lexon dhe e proceson materialin dixhital gati 30 për qind më ngadalë se sa materialin e shtypur. Studiuesit e kësaj dukurie mendojnë që teksti dixhital e rrit peshën konjitive të procesimit të informacionit duke e ulur kështu aftësinë trunore për të procesuar, ruajtur dhe arkivuar informacionin për përdorim të mëtejshëm.
  1. Shkolla dixhitale nënkupton që të gjithë nxënësit që ndjekin këtë lloj shkolle të kenë internet në shtëpi, përndryshe nuk do mundeshin të lexonin për ditën e nesërme. Kur edhe në vende si SHBA ndodh që ¼ nuk ka fare internet në shtëpi, ç’mund të themi për Shqipërinë? Të dhënat na mungojnë, por mund të hamendësojmë fare lehtë që kjo shifër është më e lartë. Çfarë ndodh me nxënësit që nuk kanë mundësi të shohin librin në shtëpi online?
  1. Kostoja e lartë e sistemeve dixhitale i marxhinalizon shkollat në zonat e varfra dhe shkollat jo-dixhitale. Për pasojë sjell diskriminim dhe krijon ndarësi “dixhitale” duke e rritur hendekun mes dy grupeve.
  1. Sistemet dixhitale janë të dobëta dhe prishen shpesh. Çfarë ndodh kur sistemet dixhitale të instaluara nëpër shkolla prishen? Kush i rregullon? Por kur u prishen studentëve në shtëpi? Libri klasik nuk ngrin, nuk mund të vidhet nga hakera ose nuk mund të fiket në mes të leximit.
  1. Shkollat dixhitale janë të lidhura ngushtë me një sërë problemesh shëndetësore, sipas disa Akademive shëndetësore botërore. Këto janë probleme të natyrës okulistike dhe neurologjike. Nxënësit që përdorin materiale dixhitale më shpesh kanë edhe probleme e çrregullime muskuloskeletale që lidhen me qafën, duart, e shpinën, madje edhe fibromialgji.
  1. Nga pikëpamja mjedisore, shkolla dixhitale është një hap i madh pas sepse shkatërron mjedisin dhe shëndetin e njeriut. Sipas shumë studimeve të përmbledhura në një reportazh të New York Times disa vite më parë, efektet shëndetësore të prodhimit të një pajisjeje dixhitale që përdoret për lexim janë gati 70 herë më të larta se sa ato të prodhimit të një libri me letër. Prodhimi i një libri me letër nxjerr 100 herë më pak gazra të dëmshme në atmosferë se sa prodhimi i një tablete.
  1. Shkolla dixhitale dhe tekstet dixhitale e zhvendosin vëmendjen nga mësuesi tek teknologjia. Ky lloj ndryshimi hedh poshtë dekada të tëra mençurie të fituar nga kërkime shkencore për procesin e mësimdhënies, siç është detajuar ndër të tjera nga Michael Schmoker.

Përpos këtyre arsyeve, edhe të dhëna konkrete nga përdoruesit reflektojnë të njëjtën situatë. Një anketë e kryer nga Bowker Market Research në pranverën e vitit 2013 në SHBA, nxori që vetëm 3 për qind e nxënësve përdorin tekste dixhitale për të mësuar.

Duke marrë parasysh përvojën botërore duhet thënë që qasja për një arsim dixhital, përveç qëllimit të mirë, duhet të jetë multidimensionale dhe multisektoriale – duhet të jetë një qasje që kombinon përdorimin e përgjegjshëm të pajisjeve dixhitale, me diturinë e koncepteve themelore dixhitale, si dhe reflektimet tona shkencore, etike dhe filozofike.

___________

Shënim: Autorja ka përdorur formën “digjitale” sipas drejtshkrimit te shqipes, por sikurse kemi theksuar në fund të këtij artikulli, Exit përdor variantin “dixhital” meqenese kjo eshte forma mbizoteruese ne shqipen e sotme.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>