Legalizimi i prostitucionit në Shqipëri? Një model europian satirik

Nga Aida Liko
Legalizimi i prostitucionit në Shqipëri? Një model europian satirik

Fenomeni  i prostitucionit në Shqipëri nuk ka një histori të mirëfilltë si para dhe pas formimit të shtetit tonë kombëtar. Kjo për faktin se nuk është një fenomen  tipik shqiptar, ashtu sikurse në vende të tjera të Europës të cilat bëjnë ndryshimin dhe kanë një qasje më të thellë.

Në këtë drejtim, me hapjen e kufijve, në  kushte të  tilla si të qënit në  udhëkryqe historike apo sociale, njohja dhe bashkëjetesa me kultura të tjera ka sjellë si pasojë edhe dukuri të ndryshme të tranzicionit shqiptar. Diversiteti në vendet multikulturore ka pasur ndikimet e veta në shoqërinë shqiptare, gjë që në sajë të pikëpamjeve të ndryshme disa nocione, ligje apo rregulla janë keqinterpretuar, gjithashtu edhe modeli bashkëkohor i jetesës, duke u fokusuar në elemente  materiale pa e pozicionuar veten si pjesë e një debati frytëdhënës me qëllim shqyrtimin e faktorëve që kanë çuar në këtë zgjedhje të pranueshme dhe korrekte për ta në çdo fazë të qytetërimit të tyre.

Duke e parë në këtë këndvështrim, shoqëria  e ka thuajse të pamundur të integrohet dhe të pranojë këtë ndryshim, pasi në optikën shoqërore shqiptare, kulturalisht prek dhe ka pasoja të rënda për moralin tradicional. Si një vend i vogël, ndonëse jo i izoluar, njerëzit kanë krijuar lidhje miqësore me njëri-tjetrin dhe janë të disiplinuar e rritur thuajse me të njëjtën frymë. Kështu që opinioni publik do ta përjashtonte me një reagim të hekurt këtë dukuri, duke qenë se ky fenomen është edhe i panjohur, jo i gjykuar e shqyrtuar mirë as nga një nivel intelektual në vendin tonë.

Në një situatë të tillë, nuk mund të lihet në mëshirë të fatit apo zgjedhjes personale sepse do të ishte një vendim i marrë në kushte jo optimale, ashtu sikurse do të ishte edhe ushtrimi si profesion një rrugë e zgjedhur pa vetëdije ose në rrethana imponimi a detyrimi. Dhe po ta gjykojmë kompleksitetin e problemit do të  kalonte në hapa të tjerë duke i çelur rrugën një bote paralele dhune, makthi e shfrytëzimi, ndoshta kështu do të kishte lehtësira edhe për veprimtari të trafikut të qenieve njerëzore pa kontrollin e plotë që nevojitet në raste të tilla flagrante, duke lënë në harresë në një farë mënyrë subjektin e ndëshkimit, që me shumë mundësi mund të përfshihej edhe vetë viktima.

Sa i përket këtyre rrethanave, do të rezultonte fatal ky vendim, angazhimi në këtë shkallë do të mundësohej vetëm nën monitorim apo kontroll, si rrjedhojë kjo nënkupton nënshtrim. Legalizimi i këtij aktiviteti siguron një orvatje dhe një sistem të organizuar epidemik që synon të thyejë kodin, etikën, dinjitetin e qenies femër në luftën e saj për shpëtim nga një rrjet apo në luftën për mbijetesë.

Vlen të theksohet se arsyet që i nxisin këto femra në pjesën më të madhe të rasteve, janë për shkaqe ekonomike, vajza apo gra të cilat vijnë nga grupime të ndryshme racore dhe etnike, apo që vuajnë në skamje,  apo edhe kategori të ndryshme sociale që janë në kërkim të luksit, në pavetëdije e të detyruara hedhin hapa në mënyrë të pavullnetshme dhe ky fakt përbën një shqetësim të rëndësishëm social pasi konstatojmë komercializim të qënieve të gjalla. Kurrsesi nuk mund të konsiderohet një e mirë publike një ligj i tillë i cili jo vetëm që nuk do të zgjidhte problemin, por do t’a tjetërsonte atë në një mijë hallka, si fillim joshëse, konfuzuese, shkatërruese, e së fundmi proceduriale.

Çfarë do të ndodhte me vendin nëse ky ligj do të miratohej? Eshtë e qartë se mungesa e mjeteve financiare prek edhe vlerat kulturore të shoqërisë. Do të lindte nevoja për fuqizim të kapitalit financiar me një nxitje të një niveli akoma më të lartë se mundësitë që na ofrohen. Në këtë kuadër, do të kishim një rritje dhe favorizim të grupeve tashmë jo më të fshehta, ku masivisht do të thurnin kurthe në një nivel alarmant komunikimi dhe organizmi, për të arritur qëllimet e tyre tinëzare të lirë për të hutuar dhe kapur prenë e shenjestruar.

Në këto kushte një rrezik i mundshëm që shënon në krijimin dhe funksionimin e mafias, s’do të mund të parandalohej dot më as nga autoritetet shtetërorë e as ligjet. Si rrjedhojë do të pasonte një kaos publik, një ndotje e mëtejshme morale, pasoja shëndetësore, por edhe një shkatërrim  ekologjik gjithashtu. Sepse në rast se marrim shembull  përceptimin  e adoleshentëve në lidhje mbi këtë fenomen, frymëzuar dhe ndikuar nga edukata familjare e shkollore, ky perceptim do të zbehej dhe zgjedhja më e lehtë për një pjesë do të ishte vetë natyra, gjë e cila zgjeron rrezen e ndotjes së saj.

Dalëngadalë brezat e ardhshëm, njëri pas tjetrit, do të humbisnin kuptimin e të moralshmes. Po ta marrin edhe në aspektin familjar, një familje e shëndoshë në konceptin e shqiptarëve jeton e gëzon në harmoni të plotë jetën krah një bashkëshorti dhe ky fenomen do të sillte një realitet tjetër, të pastudiar më parë, i cili do të tentonte të prishte pabesisht stabilitetin në familje (përmendim këtu edhe faktin se në Shqipëri jeta shoqërore bazohet edhe në kritere të dispozitave të fesë). Reagime të ndryshme, përplasje interesash, këndvështrimesh dhe idealesh, për shkak se ende nuk zotërojmë një identitet Europian, prostitucioni konsiderohet një vepër e shëmtuar dhe asnjë formë e të prezantuarit të tij nuk mund të mirëpritet.

As shtetet perëndimore nuk kanë mundur t’i bëjnë ballë kaosit që ka sjellë fenomeni i prostitucionit bashkë me pasojat e veta, ndonëse në kushte të tjera ata kanë një bazë të qëndrueshme institucionale, individët që përfshihen dhe janë pjesë e tij tejkalojnë dhe “shkruajnë”  kufij të  rinj  ligjor.

Duke e  parë në këtë sfond,  duhet t’i kushtojmë vëmendje të madhe kësaj problematike tejet shqetësuese e cila rezulton defiçente sidomos në horizontin dhe hapësirën tonë, ndonëse kjo dukuri gjithmonë buron për të vlerësuar dhe predikuar vlerat materialistike në konturet e skllavërisë, anashkalon dhe neglizhon njëkohësisht, faktin se ka vend për garanci në integrimin, ecurinë me prosperitet për brezat dhe për vazhdimësi vlerash njerëzore që mund të përcillen në një mijë dimensione.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>