Një lajm i pazakontë u publikua pa shumë komente nga media e vendit: Kryeministri Rama, i bezdisur nga përfshirja e pakët e deputetëve socialistë në zonat e tyre elektorale, dha urdhër që asnjë prej tyre të mos dalë jashtë vendit pa lejen e kryetarit të grupit socialist Gramoz Ruçi.
Gjatë ditëve të fundit, Kryeministri ka zhvilluar takime me qytetarë të zonave të ndryshme të vendit, gjatë të cilave ka marrë shumë ankesa nga qytetarët dhe ka ndjerë pakënaqësinë në rritje të bazës. Duket se po merr masat e nevojshme politike.
Por urdhri i fundit tregon se pakënaqësinë e krijuar ndaj qeverisë së tij, Kryeministri ia vesh bashkëpunëtorëve dhe deputetëve socialistë.
Masa që ka ai zgjedhur tregon vlerësimin e tij të për përgjegjëshmërinë dhe aftësinë e deputetëve socialistë për të qenë të pavarur, prandaj i ka trajtuar ata si fëmijë.
Në të vërtet, ky është një veprim tipik komunist sipas metodës komuniste të shkarkimit të përgjegjësive tek vartësat. Qëllimi i vëtëm është të mos preket udhëheqja e lartë e partisë, e cila kurrësesi nuk mund të vihet në diskutim. Sikurse thuhej dikur: uji del i pastër nga burimi, por turbullohet rrugës.
Kryeministri Rama nuk është i vetëdijshëm se partia–ajo e vetmja—nuk ekziston më. Kohët dhe mjetet e komunikimit kanë ndryshuar shumë dhe pavarësisht shkretëtirës informuese të krijuar nga propaganda qeveritare dhe mediat pro qeveritare, elektorati ka filluar të bëjë llogaritë dhe të vlerësojë politikat e qeverisë. Ndaj aksioma e të “pazëvendësueshmit” nuk funksionon më.
Mbi të gjitha nuk mund të funksionojë më modeli ku kryetari është i pafajshëm dhe nuk ka përgjëgjësi—të gjitha fajet dhe përgjegjësitë i kanë vartësit e emëruar prej tij.
Deputetët nuk janë zgjedhur nga baza socialiste. Ato janë emëruar personalisht nga Rama. Shpesh zgjedhjet e tij kanë krijuar pakënaqësi të madhe në bazë.
Po në të njëjtën mënyrë janë zgjedhur edhe politikat publike të qeverisë gjatë tre viteve të saj, të cilat kanë çuar në gjendje të mjeruar që shihet dhe përjetohet nga të gjithë, çdo ditë.
Dhe nëse fushata e ardhshme zgjedhore e Partisë Socialiste i besohet deputetëve, për të cilët vetë Kryeministri mendon se janë aq ta papërgjegjshëm sa duhet t’u kontrollohen deri edhe në udhëtimet jashtë vendit, mund të imagjinohet se ajo ka për të qenë e vështirë.