Turqi, “masakër” ndaj nëpunësve civilë e medias

Turqi, “masakër” ndaj nëpunësve civilë e medias

Në ditët e fundit, autoritetet turke kanë shkarkuar nga detyra 10 mijë nëpunës civilë, kanë mbyllur 15 media dhe kanë arrestuar 13 gazetarë, të gjithë të dyshuar për lidhje me organizimin e grushtit të shtetit të korrikut.

Mediat turke njoftojnë se dy dekretet e qeverisë, një për shkarkimin e nëpunësve e një për mediat, i quajnë këta të fundit të lidhur me organizatën e klerikut Gylen dhe të përfshirë në  aktivitete që cënojnë sigurinë e vendit.

Presidenti Ergodan dhe zyrtarë të lartë të Turqisë akuzojnë klerikun turk që jeton në SHBA Fetullah Gylen dhe organizatën e tij për grushtin e dështuar të shtetit të 15 korrikut. Qeveria turke mendon se eliminimi i të gjithë mbështetësve të Gylenit nga aparati shtetëror është vendimtare për sigurinë dhe demokracinë në vend.

Mediat perëndimore shkruajnë se nëpunësit e pushuar i përkasin fushës së arsimit, mjekësisë, financave e ligjit.

Dekreti për arsimin i jep të drejtën presidentit Erdogan të emërojë krerët e universiteteve, duke hequr sistemin e mëparshëm ku akademikët garonin për postet drejtuese.

Ndërsa 15 mediat e mbyllura dhe 13 gazetarët e burgosur njihen si opozitarë të presidentin Erdogan dhe drejtohen kryesisht nga kurdë.

Kryeprokurori i Stambollit deklaroi se gazetarët nuk janë arrestuar sepse janë anëtarë të organizatës terroriste të Gylenit apo të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, por për kryerjen e krimeve në emër të këtyre organizatave.

Në total, numri i mediave e gazetave të mbyllura me dekret nga presidenti  që prej korrikut shkon më shumë se 160, numri i nëpunësve të shkarkuar më shumë se 100 mijë dhe numri i të arrestuarve ka shkuar në 37 mijë.

Që prej 20 korrikut, qeveria turke ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme dhe ka pezulluar Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Këto masa lejojnë presidentin dhe kryeministrin turk të anashkalojnë parlamentin për miratimin e ligjeve të reja, si dhe u jep atyre të drejtën të kufizojnë të drejtat dhe liritë bazë të qytetarëve.

Pezullimi i Konventës Evropiane u heq qytetarëve turk të drejtën të ankimohen në Strasburg për shkeljen e lirive të tyre, duke bërë kështu të pacënueshëm autoritetin e presidentit turk për kufizimin e të drejtave dhe lirive themelore.

Këto masa janë justifikuar me nevojën e eliminimit të pasojave të grushtit të dështuar të shtetit dhe mbylljes së çdo mundësie për rrezikimin e rendit shtetëror në Turqi.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>