Donald Trump u zgjodh president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës me të paktën 300 vota elektorale nga 538 vota në total (rezultatet përfundimtare zyrtare nuk kanë dalë ende).
Fitorja e tij nuk pritej nga pjesa më e madhe e elitës së SHBA-ve, e cila, përgjithësisht, kishte shpallur mbështetjen e hapur për kandidaten e Partisë Demokratike Hillari Klinton.
Fitorja e Klintonit mendohej e lehtë edhe nga shumica e mediave dhe elitat intelektuale dhe politike botërore.
Ndryshe nga këto pritshmëri, Trump fitoi bindshëm dhe madje fitoi duke shpenzuar shumë pak.
Ndonëse shpenzimet e fushatës ende nuk janë bërë publike, sipas Qendrës për Konkurueshmëri Politike (Center for Competitive Politics), Klinton shpenzoi dy herë më shumëpër fushatën sesa Trump.
Deri në 28 tetor, Klinton kishte ngritur rreth 687 milion dollarë fonde, ndërsa Trump 307 milionë dollarë. Kjo shifër mendohet se ka shkuar në rreth 900 milionë dollarë për klinton dhe rreth 350 milionë për Trump.
Numri i reklamave pro Klintonit ishte tre herë më i lartë se ai pro Trumpit: 383 512 reklama televizive të transmetuara për Klinton krahasuar me 125 617 për Trump.
Super PAC-et, grupet mbështetëse, të Klintonit ngritën 190 milionë dollarë fonde; ato që mbështesnin Trump ngritën vetëm 60 milion dollarë.
Klinton arriti rezultatin më të dobët në shtetet në të cilat shpenzoi më shumë. Në gjashtë shtete ku Klinton kanalizoi shpenzimet më të mëdha—Florida, Ohio, north Carolina, Pennsylvania, Nevada dhe Iowa—ajo harxhoi rreth 299 milionë dollarë krahasuar me rreth 90 milionë dollarë të Trump. Ajo humbi në të gjitha këto shtete me përjashtim të Nevadës.
Opinionistë të ndryshëm e quajtën amatoreske faktin se Trump shpenzoi më shumë për kapele se sa për sondazhe politike.
Në gazetën prestigjoze Washington Post më 25 tetor një artikull i titulluar “Donald Trump ka shpenzuar më shumë në kapele se sa në sondazhe politike” analizonte zgjedhjen e gabuar të Trump.
Artikulli citonte konsulente të rëndësishme politikë republikane te thonin se këshilltarët e fushatës së Trump ulën shpenzimet në sondazhe politike dhe reklama, duke u shprehur se shpenzimet e Trump ishin të parëndësishme për të ndikuar votuesit.
Por Trump nuk shpenzoi më pak vetëm në reklama dhe sondazhe. Sipas rrjetit televiziv CNBC, deri në fund të gushtit, fushata e Klinton kishte 800 persona të punësuar, kurse Trump vetëm 130 të punësuar.
Në përfundim të votimit, Trump kishte shpenzuar 5 dollarë për votë. Kjo e bënë atë kandidatin për president që ka shpenzuar më pak dollarë për votë në një fushatë elektorale, nga të dyja partitë.
Pyetjes se si arriti Trump të fitonte me kaq pak para, Presidenti i “Qendrës për Konkurueshmëri Politike” iu përgjigj se “Paraja nuk mund të blejë dashurinë, dhe nuk mund të blejë vota. Gjithçka çfarë mund të bëj është të përcojë mesazhin. Votuesit nuk e deshën atë që Clinton ofroi.”
Gjithashtu, Trump arriti rezultatin më të mirë zgjedhor ndërmjet votuesve afro-amerikanë dhe hispanikë në krahasim me ish-kandidatin republikan për president Mit Romni në zgjedhjet e vitit 2012.
- 29 për qind e votuesve hispanikë votuan pro Trumpit, ndërsa 28 për qind prej tyre votuan pro Mit Romnit, në 2012.
- 8 për qind e votuesve afro-amerikanë votuan pro Trumpit, krahasuar me 7 për qind pro Romnit në 2012.
Krahasuar me Mit Romnin, Trump nuk arriti të fitonte më shumë vota vetëm mes komunitetit hebre: 24 për qind e votuesve hebrenj votuan për Trumpin, krahasuar me 30 për qind për Romnin.