Shqipëria renditet mes tre vendeve me klasën politike më të korruptuar në Evropë. Ky është përfundimi i raportit “Njerëzit dhe korrupsioni – Evropa dhe Azia Qendrore”, hartuar nga Transparency International, organizata më e rëndësishme kundër korrupsionit në botë.
Raporti ka vëzhguar 42 vende në Evropë dhe Azi Qendrore dhe ka intervistuar rreth 60 mijë qytetarë, nga janari në mars 2016, për perceptimin e tyre mbi korrupsionin
Në raport theksohet se 55 për qind e shqiptarëve i konsiderojnë deputetët e parlamentit shumë të korruptuar. Të vetmit shtete ku klasa politike konsiderohet më e korruptuar janë Moldavia me 76 për qind dhe Ukraina me 64 për qind.
Po ashtu, qytetarët mendojnë se në Shqipëri ryshfeti, dhënia e parave në këmbim të një shërbimi publik zakonisht në kundërshtim me ligjin, është shumë i përhapur.
Rreth 34 për qind e shqiptarëve të intervistuar kanë pranuar se kanë paguar ryshfet në këmbim të një shërbimi.
Sipas raportit, korrupsioni në Shqipëri shikohet si një problem mesatar – në një sistem vlerësimi i lartë-mesatar-i ulët dhe qeveria shqiptare po bën një punë mesatare për ta luftuar atë.
Vetëm pak ditë më parë, Komisioni Evropian, në raportin e tij vjetor, theksonte se korrupsioni është i përhapur në shumë fusha dhe vazhdon të jetë problem serioz për Shqipërinë.