Deputeti socialist Bashkim Fino debatoi me Drejtoreshën e Administrimit të Buxhetit Gjyqësor Luljeta Laze për projekt buxhetin e vitit 2016. Sipas drejtoreshës, fondi i parashikuar për administratën gjyqësore nuk është i mjaftueshëm.
Zoti Fino u përgjigj se fondet nuk do të shtohen, pasi nga buxheti i vitit 2015, vetëm 44 për qind e fondeve janë investuar nga kjo drejtori.
“Keni realizuar vetëm 44 për qind. Jemi ne fund të nëntorit, dhe nuk besoj se investimet do të realizohen 100 për qind. Mua kjo me duket menaxhim jo i mire i fondeve. Unë si ekonomist që jam, dhe kjo është fatkeqësia jote, nuk do te jepja asnjë kokërr leku investime, sepse je e paafte te menaxhosh paratë që të jep si buxhet Parlamenti shqiptar,” u shpreh Zoti Fino.
Akuzave të deputetit, zonja Laze iu përgjigj se “viti nuk ka përfunduar ende”. Në dhjetor, sipas saj, buxheti i vitit 2015 do jetë realizuar rreth 90 për qind.