Palma, koktej, koncerte të panumërta, instalacione neoni, tapete të kuq, gra të bukura, gjerdanë me margaritarë, makina luksoze, kostume të bërë me porosi, butona këmishe të personalizuara për miqtë, ekspozita me piktura sikur të binin nga qielli, avionë charter, drejtues doganash që festojnë ditëlindjen e fëmijës të mitur e të pavetëdijshëm në Sheraton, deputetë që qëllojnë me pistoleta me numër të fshirë serie si gangstera të viteve 30 në Çikago, ministra shumë “të shoqërueshëm” që flasin në telefon më narkotrafikantë – ky është imazhi i Tiranës së qeverisur nga qeveria e majtë “qytetare” (pseudo)europiane që kishte premtuar Rilindjen e vendit pas një periudhe të gjatë qeverisje nga “fshatarët” filo turkë.
Me arrogancën e atyre që kanë para e pushtet, por edhe që pretendojnë superioritet intelektual.
Në Itali u bënë vite që diskutohet sindroma e “superioritetit” moral të së majtës, që në fakt ka rezultuar krejt e pajustifikuar. Ndërsa në Francë, pas ngjarjeve të bujshme të një sërë personazh të lartë të së majtës socialiste, përfshi orgjitë e akuzat seksuale të Strauss Khan apo tradhëtitë martesore të Hollandesë, rihyri në diskutimin e përditshëm termi domethënës “gauche caviar” (e majta e kaviarit).
Në Shqipëri kavjari nuk ka mbërritur ende, shampanja pihet vetëm në pak ambjente të rezervuara, tartufi shijohet vetëm në pjata peshku në restorante për të fortë e vajza seksi, lluksi interpretohet akoma si të brendëshme Dolce Gabbana e çanta Luis Vuitton, por koncepti i gauche caviar shërben më së miri për të përshkruar garën e ethshme drejt hedonizmit bosh që ka mbërthyer elitën e vendit, të ushqyer nga para të vjedhura ose të fituara lehtësisht, praktikuar pikërisht nga ai brez predikuesish që propagandonin socializmin dhe progresizmin.
Dhe në fakt, socializmi shqiptar nga i kuq komunist është kthyer në lejla, që në shumë vende është ngjyra e turpit.
Turp që duket i pashmangshëm kur lexon për berberë të arrestuar pas përleshjes me policinë që kërkon kasën fiskale, për pronarë modestë internet kafesh të gjobitur miliona për një kupon tatimor 20 lekësh, për familje të varfra të privuara nga ndihma ekonomike, për fëmijë që rrezikojnë të shuhen ngaqë prindërit nuk paguajnë dot kurimin e tyre, për mijëra qytetarë që braktisin çdo gjë e nisen në kërkim të azilit në Gjermani e çdo skutë të mundshme të perëndimit.
Shpirtat e mirë të elitës së majtë shqiptare, të vetëshpallur shpëtimtarë të botës, me të marrë pushtetin njohën të drejtat e vetëm atyre që i paguajnë, dhe i paguajnë mirë. Nuk është më as korrupsioni i zakonshëm, pasi tani kërkesa vjen përpara ofertës dhe lista e “çmimeve” është gati publike. Ky teatër luhet përballë frymorëve të thjeshtë, të cilëvë u mbeten vetëm thërrmijat dhe kur dërgesat e refugjatëve nuk vijnë më atyre të shkretëve nuk u mbeten më as para për një grusht fasule.
Po njerëzit e thjeshtë, dihet, mësojnë duke imituar, dhe ku ka model më të mirë se ai i udhëheqësve që kanë premtuar Rilindjen! Dhe fillon e ndodh dicka e paparashikuar edhe prej tyre: shpërthen kanibalizmi social. Tashmë të gjithë fillojnë e zhvatin nga çdo kush që munden, nga lartë poshtë, si në një kaskadë. Drejtuesja arsimore në provincë, drejtuesi i emergjencave civile në qytezë, inspektori i bashkisë, faturisti i energjisë, specialisti i targave, punonjësi i zyrës së regjistrimit të bizneseve, regjistruesi i pasurive, polici rrugor…
Në sistemin komunist çdokush shpresonte se duhej të shpërblehej sipas nevojës, në sistemin e tregut të lirë kapitalist çdo kush duhet të shpërblehet sipas meritës, ndërsa në tregun e lirë socialist të Rilindjes të gjithë duhet t’i zhvasin gjithë të tjerëve, domethënë të gjithë ata që Rilindja u ka dhënë postin dhe vulën e përshtatshme.
A nuk është kjo, ndoshta parajsa e barazisë?