Njëzet e dy persona u vranë dhe 59 të tjerë u plagosën në një sulm me bombë të hënën vonë në mbrëmje, pranë një salle koncertesh në Manchester të Anglisë.
Shpërthimi ndodhi në përfundim të një koncerti të këngëtares amerikane Ariana Grande. Shumica e viktimave janë të rinj që po dilnin nga koncerti.
Deri më tani, është mësuar se sulmuesi ka shpërthyer një “pajisje të iprovizur shpërthyese”. Policia beson se sulmuesi ka vepruar i vetëm në vendin e ngjarjes, por nuk dihet ende nëse ai është pjesë e një grupi më të gjerë terrorist.
Kryeministrja Theresa May u shpreh se policia po e trajton rastin si “një sulm të tmerrshëm terrorist”.
Partitë politike të Britanisë ranë dakord të pezullojnë fushatën për zgjedhjet e përgjithshme të 8 qershorit në respekt për viktimat e sulmit.