Qarku i Shkodrës ka nominalisht 337 mijë shtetas dhe pritet të prodhojë 11 mandate deputetësh. Në Zgjedhjet e vitit 2013, Shkodra pati një ndikim të madh në rezultat, pasi koalicioni i majtë arriti të përmbysë rezultatin e vitit 2009. Por për zgjedhjet e 25 qershorit, disa elementë të vitit 2013 kanë ndryshuar shumë.
Të 122 mijë votat e hedhura në qarkun Shkodër në vitin 2013, bënë një ndryshim të madh në rezultatin kombëtar të zgjedhjeve, pasi Partia Socialiste dhe dy aleatë të saj arritën të marrin gjashtë deputetë, përkundrejt pesë deputetëve që mori Partia Demokratike, një rezultat shumë i ndryshëm ky nga zgjedhjet e vitit 2009, kur PD arriti të marrë 7 deputetë kundrejt 4 që mori PS.
Në zgjedhjet e vitit 2013 në Shkodër u hodhën 122 mijë vota, nga të cilat, 64 mijë u fituan nga koalicioni i majtë dhe 55 mijë nga koalicioni i djathtë. Në vitin 2009, rezultati pati qenë 67 mijë për të djathtën dhe 41 mijë për të majtën, me një numër prej 116 mijë votash.
Ndonëse pjesëmarrja në votime u rrit me rreth 6 mijë vota në zgjedhjet e vitit 2013, përmbysja e rezultatit nga e djathta te e majta dukshëm tregon se një pjesë e konsiderueshme e popullsisë së këtij qarku ka votuar në krah të kundërt më 2013 në krahasim me 2009.
Ndryshimi i rezultatit të zgjedhjeve të vitit 2013 erdhi para së gjithash nga dy anëtarë të koalicionit të majtë, Lëvizjes Socialiste për Integrim, e cila kapi një deputet në Shkodër dhe partisë pak të njohur deri në atë vit, Kristian Demokrate e Shqipërisë, (PKDSH) me bazë në Pukë dhe zonat përreth.
Në vitin 2017, në Qarkun Shkodër ka 264 mijë votues të regjistruar.
Gjërat kanë ndryshuar në mënyrë rrënjësore në zgjedhjet e këtij viti në përplasjen për Shkodrën. Aktualisht, ish-deputeti Mark Frroku, i cili fitoi mandatin e gjashtë për të majtën, është në burg. Ai ka dhënë dorëheqjen nga partia. Partia e tij garon e vetme në zgjedhje. Në vitin 2013, kësaj partie i mjaftuan 6764 vota të marra brenda koalicionit të majtë për të fituar një mandat deputeti. Në zgjedhjet aktuale i nevojiten shumë më tepër vota për shkak se garohet pa koalicione.
Por përveç faktit se ky mandat i të majtës mund të mos jetë më në parlamentin e ardhshëm, pyetja tjetër është nëse kjo parti me të vërtetë dëmton gjasat për sukses të PS-së apo ato të PD-së në zgjedhjet e këtij viti.
Puka është një zonë ku Partia Socialiste po synon të konvertojë votat e Frrokut në favor të vet dhe aktualisht ajo kontrollon pushtetin vendor atje me fitore plebishitare në zgjedhjet e vitit 2015 për pushtetin vendor.
Mandati tjetër i të majtëve u fitua nga Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila në zgjedhjet e vitit 2013 arriti të grumbullojë gati 13 mijë vota në Qarkun Shkodër, nga vetëm 2,800 vota që pati marrë në vitin 2009. Vetë Partia Socialiste fitoi më 2013 vetëm 38 mijë vota, afro 4 mijë vota më shumë se sa më 2009. Ankesa e Partisë Demokratike për rezultatin e saj krahasimisht më të dobët se sa në të shkuarën për Qarkun Shkodër është që Partia Socialiste përdori persona me të shkuar kriminale për të grumbulluar vota në zonat që konsiderohen si tradicionalisht të djathta të veriut. Por fakti është që rezultati i vitit 2013 në Shkodër erdhi më së shumti si pasojë e votave për partitë brenda koalicionit të majtë se sa për vetë Partinë Socialiste. Nuk është gjithashtu e qartë nëse votat e partive aleate të së majtës do të rikthehen te PD apo do të kalojnë te PS.
Një element i rëndësishëm në zgjedhjet e këtij viti pritet të jetë rikonfigurimi i pushtetit vendor të dalë nga zgjedhjet e vitit 2015 dhe ndryshimi i hartës administrative e territoriale. Në Shkodër, reforma administrative e territoriale bashkoi 27 bashki dhe komuna në pesë bashki të reja. Nga këto, në zgjedhjet e vitit 2015, tre bashki u fituan nga e majta dhe dy nga e djathta. Shkodra, që zë pjesën dërrmuese të votave në këtë qark, mbeti demokrate me diferencë jo të vogël demokrate por bashkitë e vogla si Puka dhe Fushë-Arrëzi kaluan në masë të konsiderueshme majtas.
Pushteti vendor ka ndikim të rëndësishëm në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë kryesisht për shkak të vendeve të punës që kontrollon kryetari i bashkisë, për shkak të licencave të ndryshme të bashkisë si dhe për shkak të kontrollit efektiv mbi skemën e ndihmës ekonomike.
Për rrjedhojë, një pjesë e ish-votave të demokratëve në Malësinë e Madhe, në Pukë dhe në Fushë-Arrëz mund të qëndrojnë majtas edhe në zgjedhjet e këtij viti. Por socialistët kësaj here do të duhet të bëjnë llogaritë edhe me ish-deputetin e tyre Tom Doshi, i cili aktualisht garon për Partinë SocialDemokrate dhe synon të ruajë vendin e tij në parlament. Rruga e Doshit drejt mandatit pritet gjithsesi të jetë e vështirë pavarësisht dëmit që mund t’i shkaktojë në rezultat socialistëve.
Biznesmenë në mandatet e diskutueshme
Sistemi zgjedhor aktual bën që pjesa dërrmuese e kandidatëve për deputetë ta kenë të qartë rezultatin e garës ende pa nisur ajo. Kandidatët që janë në fillim dhe ato që janë në fund të listës së partive përkatëse, e kanë të qartë ose se janë sakaq të zgjedhur pavarësisht se kush i fiton zgjedhjet, ose se janë të humbur. Kështu, në qarkun Shkodër, është e qartë se Partia Socialiste synon të rrisë mandatet e saj nga katër që ka pasur më 2009 e 2013, në pesë, e ndoshta gjashtë, ndërsa Partia Demokratike synon që të rrisë mandatet e saj nga pesë që janë aktualisht në gjashtë apo shtatë. (PD ka pasur 7 deputetë në Shkodër më 2009). Disa parti të tjera të vogla luftojnë për të kapur së paku një deputet, pra të parin që kanë në listë. Rrjedhimisht, në pothuajse të gjitha postet e diskutueshme, në garë janë vënë nga të gjitha palët biznesmenë.
Krahas Doshit që garon për PDS, gjendet edhe Sait Fishta, [link CV] biznesmen ndërtimi, ish-kryetar i Komunës Velipojë dhe ish-kandidat për Partinë Socialiste. Fishta aktualisht kandidon për Partinë Drejtësi, Integrim dhe Unitet. Ai u arrestua në shkurt të këtij viti i akuzuar për ndërtime me leje të paligjshme në plazhin e Velipojës, akuza të cilat ai i hedh poshtë si të ngritura për arsye politike. Fishta në formularin e dekriminalizimit ka shënuar se është dënuar më parë për veprat penale të kontrabandës dhe falsifikimit të dokumenteve. Në rast se PDIU arrin të marrë një mandat në Shkodër, atëherë ky mandat do t’i përkasë Fishtës.
I pari në listën e LSI është Agron Çela, [link CV] aktualisht deputet dhe gjithashtu biznesmen. Çela ka biznese në turizëm, ndërtim e media, sipas CV-së së tij zyrtare. LSI ka kandiduar gjithashtu në Shkodër të dytin Dritan Hyllin, i cili është një nga drejtorët jetëgjatë të LSI përgjatë tetë viteve të fundit.
Partia Socialiste ka kandiduar në vend të pestë në listën e saj Paulin Lulin, i cili deklaron në CV-në e tij zyrtare se është “biznesmen dhe financues” i Partisë Socialiste. Luli deklaron gjithashtu në formularin e tij të dekriminalizimit se jeton në Gjermani që prej 20 vitesh për “arsye punësimi”. [Link formulari] Në rast se PS shpreson që kësaj here të marrë pesë deputetë në Shkodër dhe jo katër siç ka marrë më 2009 dhe 2013, atëherë Luli do të duhet të luftojë për të realizuar këtë rezultat. Në mënyrë domethënëse, Luli është nga Puka dhe kuptohet se kandidimi i tij në këtë post synon të ruajë për socialistët votat që më 2013 i mori aleati i saj Frroku.
Në vend të katërt në listën e socialistëve gjendet Luan Harusha, [Link CV], i cili më herët ka qenë kryetar komune i komunës Rrethina, një zonë e konsideruar si bastion i socialistëve dhe e përbërë në një masë të konsiderueshme nga ndërtime informale. Harusha ka punuar së fundmi si drejtor i ALUIZNI-t në Shkodër ndërsa në CV-në e tij zyrtare thotë se ka qenë emigrant në Gjermani e Itali deri në vitin 2012 ku është marrë “edhe me biznes privat”. Harusha u zgjodh kryetar i komunës Rrethina në shtator të vitit 2013. Zgjedhjet e parakohshme në këtë komunë u zhvilluan për shkak se kryekomunari i mëparshëm i zgjedhur më 2011 Kleves Muja, u arrestua pasi qe shpallur në kërkim në Itali për trafik ndërkombëtar lëndësh narkotike.
Partia Demokratike synon të fitojë një mandat të gjashtë me biznesmenin Gjokë Uldedaj. CV e Uldedajt shkruan se ai ka eksperiencë në punë si pedagog, dekan i fakultetit të ekonomisë dhe mban gradën Profesor i Asociuar Doktor. Ai njihet gjithashtu edhe si biznesmen me eksperiencë të gjatë në sektorin e naftës dhe në turizëm. Ai ka qenë deputet i Partisë Demokratike si dhe kryetar i Dhomës së Tregtisë e Industrisë.
Rrjedhimisht, beteja për Shkodrën pritet të jetë ajo mes socialistëve që synojnë një mandat të pestë me Paulin Lulin dhe demokratëve që synojnë të rriten nga pesë deputetë që kanë aktualisht në gjashtë me Gjokë Uldedajn. I shtati në listën e PD-së është kandidati Anton Koka nga Malësia e Madhe. CV e tij thotë se Koka është biznesmen dhe kryetar partie me arsim të lartë, por nuk sqaron se çfarë arsimi ka. Ai pritet të përballet për vota në Malësinë e Madhe, bashki që aktualisht kontrollohet nga viti 2015 nga Partia Socialiste.
Ky artikull u botua më parë tek Reporter.al.