Nga kush duhet ta ruajë sipërmarrjen, Ministrja Qato?

Nga Karlo Kuçi
Nga kush duhet ta ruajë sipërmarrjen, Ministrja Qato?

Ministrja e sapozgjedhur e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Sonila Qato, bëri daljen e saj të parë publike në një mëngjes pune në një hotel lluksoz të kryeqytetit, e ftuar nga Bashkimi i Dhomave Shqiptare të Tregtisë dhe Biznes Albania, të përfaqësuara respektivisht nga Ines Muçostepa dhe nga Luan Bregasi, përpara një salle me përfaqësues të përzgjedhur të botës së biznesit.

Qato i siguroi dëgjuesit për mbështetjen maksimale të saj dhe të qeverisë, e cila i konsideron sipërmarrjet prioritet të vendit. Ajo tha se qëllimi i qeverisë ishte ta bënte vendin sa më tërheqës për investitorët strategjikë, shqiptarë apo të huaj.

Ministrja u premtoi pjesëmarrësve qartësisht “luftë pa kompromis ndaj çdo zyrtari që vepron burokratikisht” ndaj tyre, luftë që mesa duket duhet të vendosë qeverinë në frontin e parë, por që nuk po kuptohet ende se nga cila anë.

Në fakt, është e paqartë se çfarë kupton vërtetë ministrja, e përmes saj qeveria, me “burokraci”, dhe nuk dihet si e ka menduar ajo ta bashkojë këtë “luftë” me atë luftën tjetër, të sapo reklamuar, kundër informalitetit.

Foto: Giuseppe Mancino (www.giuseppemancinofoto.it)

Në diskutimin e tij përpara ministres, Presidenti i Biznes Albania theksoi nevojën për të reformuar sistemin e këshillimit publik me sipërmarrësit, i cili sot është i ndarë në të paktën tre organizma, duke sugjeruar një model organizativ sipas një shembulli që ai solli nga Kroacia. Propozimi, që vjen nga një konkurent i sistemit të Dhomave të Tregtisë, në të cilin Rama kërkon të regjistrohet me detyrim çdo sipërmarrje, dëshmon vullnetin për të ngritur një tjetër sistem me përfaqësim të bllokuar.

Emërimi i një ministreje për mbrojtjen e sipërmarrjes nuk ka asnjë precedent në Shqipëri apo vende të tjera të Evropës, dhe është e vështirë të kuptosh se cilat duhet të jenë saktësisht detyrat e saj, përveç detyrës së dukshme të reklamës publike për të krijaur imazhin e një qeverie të vëmendshme ndaj sipërmarrjes.

Por nëse ekziston një ministër që duhet të mbrojë sipërmarrjet, do të thotë se ato janë të kërcënuara nga dikush apo diçka. Prandaj, do të ishte interesante të mësohej nga Kryeministri, i cili e ka sajuar në mënyrë origjinale këtë ministri, se cilat janë rreziqet nga të cilat duhet të mbrohen nga një ministër shteti sipërmarrjet në Shqipëri?

Sipas teksteve shkollore dhe vetë opinioneve të sipërmarrësve, sipërmarrjet e vogla dhe të mesme në Shqipëri, të cilat veprojnë lirisht në një treg të lirë, kanë frikë veçanërisht nga tre gjëra: mungesa e tregut për të blerë (pra e fuqia ulët blerëse), konkurenca që mund t’i nxjerrë jashtë tregut (në veçanti konkurenca e padrejtë) dhe politikat fiskale të administratës publike.

Në një mënyrë a në një tjetër këto tre rreziqe varen në një shkallë të madhe nga veprimtaria e qeverisë. Dhe qeveria Rama në katër vitete e fundit është dalluar pikërisht për politikat e saj të të dëmshme: mungesë likuiditeti dhe konsumi, përqendrim dhe mbyllje e tregjeve të veçanta, rritje e jashtëzakonshme e zhvatjes nga administrata publike, fiskale apo jofiskale.

Sipërmarrjet e “mëdha” shqiptare thuajse monopoliste, që veprojnë në tregje të rregulluara ose publike (ku bëjnë pjesë kompanitë më të mëdha dhe natyrisht më pranë qeverisë) kanë tjetër frikë. E para, kanë frikë se mos humbin marrëdhënien e privilegjuar me pushtetin politik. E dyta, kanë frikë se mos u prishet oligopoli dhe aksesi i tyre në fondet dhe lejet publike. E treta, kanë frikë se mos fillon zbatimi i pakompromis i ligjit dhe i kontratave nga ana e administratës fiskale, doganore, mjedisore, etj.

Bota e sipërmarrësve të vegjël dhe e “biznesmenëve” të mëdhenj shqiptarë janë dy botë krejtësisht të ndryshme, të papajtueshme dhe antagoniste me njëra tjetrën. E para, kërkon rritjen e fuqisë blerëse të popullsisë dhe zhvillim gjithëpërfshirës e të larmishëm të ekonomisë. E dyta kërkon shpenzime të larta publike dhe politika fiskale të taksave të larta, ose të paktën plaçkitjen e burimeve publike me anë të PPP-ve.

Të parët vuajnë zhvatjen me forcë nga burokracia, të dytët e përdorin dhe e shfrytëzojnë burokracinë për të siguruar avantazhet e tyre të paligjshme konkuruese. Të parët prodhojnë pasuri dhe punë, të dytët rrembejnë një pjesë të mirë të pasurive publike, të cilat i shtien në dorë përmes procedurave fallco të tënderave gjoja konkurues.

Për më tepër, të parët protestojnë vetëm kur preken direkt, kurse të dytët nuk protestojnë kurrë, sepse “udhëheqësi suprem” nuk ka qejf të dëgjojë ankime apo sharje, prandaj ata sugjerojnë dhe ofrojnë… ide për të fuqizuar bizneset e tyre me burime dhe licensa të tjera publike.

Dhe ndoshta për këtë qëllim është shpikur një ministri, së cilës nuk i gjendet një e dytë në botë, për të dëgjuar të dytët pasi ajo t’i ketë përzgjedhur dhe emëruar ata si përfaqësues të të parëve.

Foto: Giuseppe Mancino (www.giuseppemancinofoto.it)

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>