Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit Hoyt Yee i ka bërë thirrje vendeve perëndimorë të jenë më të ashpër ndaj liderëve të korruptuar të Ballkanit.
“Është për të ardhur turp se si udhëheqës politikë të Ballkanit, pavarësisht nga akte të dënueshme, mirëpriten në shumë kryeqytete evropiane, sikur aktet e tyre nuk përbëjnë asgjë të keqe. Kur qytetet e këtyre vendeve i shohin udhëheqësit e tyre në takime të nivelit të lartë në Evropë dhe Uashington, ata nxjerrin përfundime. Nëse këta udhëheqës nuk lejohen në takime dhe qarqe të caktuara dhe bëhen të qarta arsyet përse, kjo do të kishte një ndikim pozitiv në zhvillimet e këtyre vendeve,” deklaroi Hoyt Yee gjatë një takimi në Qendrën për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Wallashington.
Zoti Yee, që prej muajsh ka marrë funksionet e Ndihmës Sekretarit, pas largimit të Viktoria Nuland, ka qenë mjaft i përfshirë në zgjidhjen e krizave në Ballkan. Ai u shpreh se rajoni meriton më shumë vëmendje nga Shtetet e BAshkuara të Amerikës.
Lidhur me mbarëvajtjen e reformës në drejtësi në Shqipëri, zoti Yee tha se vetëm zbatimi i plotë dhe pavarësia e plotë e gjyqësorit është sukses:
“Ne nuk do të kënaqemi si partner i Shqipërisë me një zbatim të pjesshëm ose me mungesë zbatimi, prandaj do të vazhdojmë të kërkojmë nga qeveria, partitë politike, anëtarët e parlamentit, që të mbajnë zotimet për të zbatuar amendamentet. Synimi nuk është që të kënaqen Shtetet e Bashkuara apo Bashkimi Evropian, por vendosja e sundimit të ligjit, arritja e statusit të pavarësisë për gjyqësorin”.
Pyetur për lajmet që qarkullojnë se së shpejti Zoti Yee do të emërohet ambassador i SHBA-ve në Maqedoni, zyrtari i lartë zgjodhi të mos japë përgjigje.
Sipas European Ëestern Balkans, pas kamerave, Zoti Yee tha se ende nuk ka asnjë informacion për këtë emërim të mundshëm.