“Mafia shqiptare ka aftësi të bashkëpunojë me mafian tonë, kontrollojnë trafikun e drogërave të lehta, por dhe të armëve, së fundmi edhe të kokainës. Hetimet që po zhvillohen në Itali janë të shumta në numër” – u shpreh Prokurori Kombëtar Antimafia i Italisë Federico Cafiero De Raho, pas takimit me Prokuroren e Përgjithshme të Përkohshme Marku.
Sipas Prokurorit italian, grupet shqiptare kriminale janë kthyer në një problem për Italinë pasi ato kanë filluar të vendosin lidhje të ngushta me grupet mafioze.
Ai tha se në fillim bandat shqiptare kontrollonin tregun e drogërave të lehta, ndërsa tani po kontrollojnë dhe tregun e armëve e drogërave të forta si heroina dhe kokaina. Sipas tij, bandat shqiptare kanë filluar të përhapen edhe në Italinë qendrore dhe veriore.
“Ndërsa fillimisht aktivitetin e kanë pasur të përqendruar në zonat bregdetare, tashmë janë përhapur edhe në Italinë Qendrore, por edhe në Veri. Kriminelët shqiptarë kanë aftësi të krijojnë aleanca me krimin tek ne, ndaj edhe duhet të vijojmë koordinimin dhe bashkëpunimin për t’i prerë këto lidhje” – tha Prokurori De Raho.
Kjo është vizita e parë zyrtare e Prokurorit të antimafias De Raho pas emërimit në postin e Prokurorit Kombëtar të antimafias.
Nga 2013 deri në nëntor të 2017 , De Raho drejtoi Prokurorinë Antimafia të Reggio Calabrias, ku arriti të arrestonte disa prej të arratisurve prej më shumë se 20 vjetësh, të klanit mafioz Ndragheta.
Ai ka drejtuar hetimet për procesin gjyqësor “Sparatacus”, kundër klanit “Casalesi” — i konsideruar si një nga klanet mafioze më të pushtetshme në botë me rreth 9 mijë anëtarë.
Ky proces në Itali krahasohet për nga rëndësia me “maksi procesin” e Cosa Nostrës. Nga ky gjyq u dënuan qindra mafiozëve, u arrit shkatërrimi i kupolës së klanit dhe u bë e mundur për prokurorët ndërtimi i organigramës së lidhjeve kriminale, marrëdhëniet ndërmjet mafies dhe sipërmarrësve; si dhe marrëdhëniet mes mafias dhe administratorëve vendorë.
Citimet e Prokurorit italian Antimafia janë marrë nga Balkanweb.