Sot, në përvjetorin e 25-të të protestave të dhjetorit 1990, Partia Demokratike organizoi një manifestim proteste kundër qeverisë. Përkrahës të saj dhe qytetarë nga Tirana dhe qytete të tjera marshuan fillimisht nga Sheshi Skënderbeu deri para godinës së Kryeministrisë, ku u zhvillua një tubim.
Disa nga drejtues të lartë të PD-së, Arben Ristani, Albana Vokshi, Astrit Patozi e Aldo Bumçi, etj. mbajtën fjalime ku denoncuan qeverinë dhe Kryeministrin Rama.
Në fjalën e tij Kryetari i PD-së Lulzim Basha përsëriti akuzat e tij kundër kriminalizmit të politikës dhe kundër korrupsonit e klientelizmit të qeverisë.
“Pushteti i sotëm është i veshur me krim, ligjin e bëjnë kriminelet dhe narkotrafikantët,” deklaroi zoti Basha
Ai kërkoi largimin e qeverisë Rama-Meta dhe krijimin e një qeverie teknike, e cila duhet të përgatisë zgjedhje të parakohshme.
Pas mbarimit të fjalimeve, protestuesit goditën me vezë dhe hodhën bojë të zezë drejt godinës së Kryeministrisë. Disa prej tyre goditën me shkopinj flamujsh dhe dëmtuan strehën artistike mbi derën e Kryeministrisë.
Protestuesit dogjën gjithashtu një portret të Kryeministrit Rama.
Më pas, një pjesë e protestuesve marshoi drejt bunkerit që po ndërtohet pranë Ministrisë së Punëve të Brendëshme. Ata u përpoqën të shkatërronin bunkerin duke e goditur me shkopinj dhe mjete të tjera, duke e dëmtuar pjesërisht.
Mbas më shumës e tre orë manifestim, protestuesit u larguan rreth orës 15:30
Manifestimi u shoqërua nga rreth 1 500 forca të policisë, të cilët nuk ndërhynë asnjë moment.