Arkitekti Stefano Boeri po hetohet në Itali për ndërtimin e qendrës shumë funksionale në qytezën e Norcias në Perugia. Ndërtimi ishte parashikuar brenda një zone të mbrojtur. Emri i tij shfaqet në fletë thirrjen e drejtuar kryebashkiakut Nicola Alemanno. Kështu raportojnë mediat italiane.
Boeri, drejtori i punimeve për ndërtimin e kësaj qendre akuzohet se ka realizuar punimet e qendrës në mungesë të lejeve të kërkuara sipas ligjit për zhvilimin e ndërtimit.
Qendra është ndërtuar me fonde e ndihmës për tërmetet të lëshuara nga Bashkimi Evropian dhe fondet e mbledhura por për këtë qëllim nga media italiane Corriere della Sera dhe nga stacioni televiziv italian La7. Aktualisht ndërtesa është vënë nën sekuestro nga Zyra e prokurorit.
Stefano Boeri është arkitekti i shumëpërfolur i masterplanit Tirana 2030, i cili, sikurse Exit.al e ka shpjeguar më parë, jo vetëm që kishte mangësi serioze dhe ishte bazuar në të dhëna të pasakta, por njëkohësisht edhe në shkelje të kontratës.
Së fundmi, Boeri u rikthye në Shqipëri si arkitekt i disa prej shkollave të reja që do të ndërtohen përmes Partneritetit Publik Privatë, të lajmëruar nga Kryebashkiaku Erion Veliaj. Boeri nuk konkuroi në asnjë procedurë publike tenderimi për projektimin e këtyre shkollave, të cilat janë rezultat i masterplanit që ai vetë e hartoi.
Ndërkohë, dy nga elementët me ambicioz të Masterplanit, të quajtura “Pylli Orbital” dhe “Parku Botërorë” mbeten ende të parealizuara.