Vdekja e shkencëtarit të shquar Stephen Hawking është një humbje e madhe për botën, në përgjithësi. Them kështu se ai nuk qe vetëm një gjeni në fushën e kozmologjisë apo fizikës teorike, por dhe një mendje e ndritur e një qytetar i madh që ka ngritur zërin për problemet më shqetësuese që po përballon e do t’i duhet të përballojë njerëzimi. Për fat të keq, këto shqetësime kanë rënë në vesh të shurdhër tek ata që mund të ndihmonin për shmangien e rreziqeve të mundshme që mbartin ato.
Por unë, duke mos qenë specialist i atyre fushave nuk guxoj të merrem më shumë për ndihmesën e jashtëzakonshme të tij në shkencat që lëvroi. Për më tepër që lexuesi, me disa klikime në Internet mund të gjejë të dhëna e informacione me bollëk për jetën dhe veprën e këtij shkencëtari të shquar. Përmes këtyre rreshtave desha vetëm të rrëfej një përjetim timin e që mbart, sipas meje, mesazhe të mëdha.
Sapo kishim ardhur në Amerikë dhe po ndiqnim në darkë emisionin e përditshëm “Larry King Live”. Sado turp që të jetë, unë deri atëherë kisha dëgjuar vetëm emrin e këtij gjeniu të gjallë dhe nuk dija pothuajse asgjë më tepër për të. Kur Larry Kingu bëri prezantimin e të ftuarit, unë, që nuk e dëgjova mirë, me që po merresha me diçka tjetër, i them time shoqeje: “Aman mbylle se nuk e shoh dot…Keq më vjen për të, por le ta kalojmë tek një emision tjetër kësaj radhe…”. Ajo nuk e plotësoi kërkesën time duke u justifikuar se “mbase ia vlen, meqë është shkencëtar i shquar”. “Shkencëtar i shquar ai?!” – ia ktheva unë dhe nuk e zgjata më, por nisa ta dëgjoj me vëmendje.
Pyetjet e moderatorit të njohur dhe përgjigjet e shkencëtarit të shquar më mbërthyen qysh në fillim pas ekranit, si rrallë herë. Po e them pa e tepruar se ajo intervistë ka qenë dhe mbetet një nga më interesantet dhe më me vlerë që kam ndjekur në jetën time, në mos e pakrahasueshme me të tjerat. Edhe pse kanë kaluar rreth njëzet vjet qysh atëherë, po të më pyesë njeri tani, jam gati t’i riprodhoj pa vështirësi pyetje-përgjigjet e saj, si ato që lidhen me “gropat e zeza” të hapësirës, nëse ka jetë në planetet e tjera e çështje të tilla si këto.
Nuk më hiqet nga mendja dhe pyetja e fundit që i bëri Larry Kingu se “cili është problemi aktual më i rëndësishëm e më i vështirë që po përballon njerëzimi”.
“Shtimi i pakontrolluar i popullsisë”, iu përgjigj shkencëtari, “Po qe se vazhdohet me këto ritme, – vazhdoi ai, – në vitet ’30 të shekullit të ardhshëm, njerëzit do të bashkëjetojnë ngjitur me njeri tjetrin…”. (Po e them në parantezë, nga që nuk guxoj ta pohoj me zë të lartë, se po doli parashikimi i tij, nga ky mbipopullim nuk na ndan më shumë se një dhjetëvjeçar…).
Ja, ky qe episodi apo përjetimi im që desha ta ndaj me të tjerët, jo thjesht si një kuriozitet, gjë që as që do t’ia vlente, por për disa mesazhe të fuqishme që dalin prej tij, sipas këndvështrimit tim.
Ai qe gjeni dhe për fat të keq, bota ka aq pak të tillë. Duke qenë kështu, mos vallë ne të tjerët, s’kemi se ç’përfitojmë nga përvoja e tij?! Mendoj se është e kundërta, ndaj dhe i shkruajta këto rreshta.
Historia botërore ka treguar se shembuj si ky, që kanë pësuar fatkeqësi të tilla shëndetësore, si ai, komplet i paralizuar e që lëvizte me karrocë e komunikonte me aparate speciale, pra, ka pasur plot, madje edhe tek njerëz të talentuar në mos dhe gjeni. Por, mjaft prej tyre, në mos shumica, i janë dorëzuar fatit dhe e kanë vazhduar jetën në atë mjerim të vajtueshëm që Zoti apo Natyra kishte rezervuar për ta.
Krejt ndryshe ndodhi me Stephen Hawking: ai vazhdoi veprimtarinë shkencore, madje dhe pedagogjike, thuajse njëlloj si të qe normal. (Sa për kuriozitet: para ca kohësh kam ndjekur në televizion, një kronikë për një biznesmen të suksesshëm që ishte pa këmbë e me duar të gjymtuara).
Por nga përvoja e tij mendoj se mund të përfitojmë të gjithë. Ne ankohemi e dorëzohemi për shkaqe apo simptoma fare të lehta, duke filluar nga një dhimbje koke apo shpatulle e deri tek ndonjë grip që na privon nga jeta normale. Lëmë çdo punë e mbështillemi në qoshen familjare, duke pirë çaj, pasi kemi kapërdirë më parë medikamentet e mjekut…Shpirtërisht jemi për tokë, a thua se morëm fund…
Unë nuk them që të mos i kushtojmë vëmendje e kujdes shëndetit të përditshëm, por le të mendojmë përherë se ka shumë më keq, ndaj të rezistojmë e të mos dorëzohemi. Unë i jap shumë rëndësi faktorit psikologjik apo psiko-terapisë dhe këtë përfundim nuk e kam vetëm nga teoria, por dhe nga përvoja personale. Por,këto tema dalin jashtë këtij shkrimi e meritojnë trajtesa të posaçme.
Për të mos u zgjatur, dua ta shoh episodin e mësipërm edhe në një kënd-vështrim tjetër. Është folur e flitet shpesh se “ku qëndron bukuria e njeriut”. Madje, dhe kohët e fundit, disa kanale televizive u ndalën tek kjo temë duke e parë atë krejtësisht tek pamja e jashtme, madje në hiret e disa femrave që natyra u kishte dhënë fytyra të bukura, gjokse të hedhura e të pasme të bollshme…As që më pëlqen ta zgjas me këto.
Por, do të doja të ndalesha tek një lloj bukurie tjetër, që lidhet me botën e brendshme të njeriut, si kjo që shtjellova për Hawking-un e madh: duke ndjekur intervistën e tij, përgjigjet e mençura, si rrallë herë më parë, unë as që e kisha mendjen më tek pamja e tij e jashtme, për të cilën mblodha buzët në fillim të emisionit. Në fund, më erdhi aq keq që mbaroi intervista e që më duhej të ndahesha nga komunikimi televiziv me atë gjeni të gjallë. A nuk është dhe kjo një lloj bukurie tek njeriu apo e kam gabim?!