E vura re se diçka nuk shkonte dje, kur duke parë rrjedhën e lajmeve shqip në faqen time në Facebook, befas filluan të shfaqeshin një sërë postimesh homofobike. Postimi i parë që më kapi syri ishte ai i ish-Ministrit të Drejtësisë Ylli Manjani.
Është e vështirë të imagjinosh se këto fjalë i ka shkruar një ish-ministër Drejtësie, dikush që duhet t’i njohë mirë të gjitha konventat ndërkombëtare të nënshkruara nga Republika e Shqipërisë, përfshirë edhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Manjani duhet të jetë në dijeni të të gjitha vendimeve të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg, të detyrueshme gjithashtu edhe për shtetin shqiptar.
Ajo çfarë duket se i referohet Manjani në postimin e tij në Facebook janë një seri aktivitetesh — me të vërtetë domethënëse, ndryshuese dhe jetë-shpëtuese — të ndërmarra nga edukatorë të komuniteti LGBT në Shqipëri, të cilët udhëtojnë nëpër të gjithë vendin për të diskutuar me nxënës dhe studentë rreth pyetjeve të tyre mbi gjininë, seksualitetin, familjen, shëndetin mendor, dhe bullizmin.
Këto edukatorë e bëjnë këtë gjë brenda shkollave ku nuk ka asnjë material edukues të asnjë lloj forme mbi gjininë dhe seksualitetin. Dhe ku vetëvrasjet e nxënësve gjimnazistë pjesë e komunitetit LGBT ndodhin ende rregullisht.
Ata e bëjnë këtë gjë në një vend ku mungon financimi për shëndetin mendor të fëmijëve, ku dhuna në familje—shpesh e shkaktuar nga varfëria e përhapur dhe dëshpërimi—ndeshet kudo.
Ndihma ndaj fëmijëve për të kuptuar veten dhe njëri-tjetrin dhe për t’i ndihmuar ata të eksplorojnë gamën e tyre të emocioneve, është një shërbim për komunitetin shqiptar që nuk ka të paguar, e cila jep shpresë për një të ardhme që nuk do të jetë krejtësisht e frikshme.
Qeveria shqiptare ka marrë miliona euro nga Këshilli i Evropës dhe ambasadat e vendeve të BE-së për të zhvilluar një plan aksioni për të përmirësuar të drejtat e komunitetit LGBT.
Në të kundërt, Kryeministri Edi Rama e shkriu Ministrinë e Çështjeve Sociale dhe Rinisë, përgjegjëse për zbatimin e tyre. Si reagim ndaj panikut të përhapur në media për “fushatën indokrinuese të LGBT-së” dhe “axhendës homoseksuale” nëpër gjimnazet e Tiranës, Ministria e Arsimit madje e mohoi të ketë njohuri mbi udhëtimet e edukatorëve të LGBT-së nëpër Shqipëri për organizimin e seminareve në shkolla.
Sigurisht që kjo është gënjështër. Ministria e Arsimit është pjesë e grupit të punës për hartimin e Planit të Veprimit të KGBT-së, i cili përfshin edhe komponentin e shëndetit mendor. Këto seminare, në fakt kanë vite që bëhen, fare hapur në publik.
Po pse po ndodh tani, ky shpërthim zëmërimi? Pse një ish-ministër i Drejtësisë e ka të nevojshme të flasë për “mbushje b…”? Pse kaq shumë njerëz. të cilët lexojnë shkrimet e mia të vazhdueshme për politikën dhe kulturën shqiptare, i mbështesin dhe i ndajnë këto opinione homofobike në këtë moment të veçantë?
Shqipëria është në një gjendje të dëshpëruar. Pjesa më e madhe e shtetit dje e pasurisë publike po privatizohet në mënyrë abusive dhe ka rënë në duart e një bande të vogël oligarkësh.
E gjithë bota e konsideon Shqipërinë një narko-shtet, ndërsa raport pas raporti tregon si prodhimi i sasive të jashtëzakonshme marijuana nën qeversjen Rama ka shtruar rrugën për biznesin fitimprurës të trafikut të kokainës, në të cilin është i përfshirë vëllai i ministrit të Brendshëm aktual.
Një ish-ministër i Brendshëm duket se ka qënë vetë pjesë e një organizate kriminale, së bashku me kushurinjtë e tij. Shteti i së drejtës ka ndalur, sepse qeveria ka shtënë në dorë Prokurorinë, dhe sistemi i gjyqësorit është i paralizuar nga procesi që nuk mbaron kurrë i rivlerësimit.
Dhe kur je në dëshpërim, është gjithmonë më e lehtë të sulmosh të dobtit dhe të pambrojturit. A thua se një fëmijë më pak i dhunuar është një kërcënim më i madh se një shtet i kapur nga krimi! A thua se një fëmijë që kupton vetveten është një degjenerim moral më i madh se politikanët që fusin duart e tyre grabitqare në pasurinë e përbashkët!
A thua se idea se çdo fëmijë duhet të jetë në gjendje të zhvillojë dhe të ekspolorojë vetveten pa patur dhe pa u rrezikuar është më helmuese se një sistem drejtësie i riprojektuar për t’i shërbyer një njeriu të vetëm!
Është pikërisht kjo sjellja e mediave shqiptare këto ditë: një panik moral që shpërqendron nga ajo çfarë me të vërtet po shkatërron në palcë Shqipërinë. Është mënyra që ato kanë zgjedhur për të përballuar atë para së cilës ne të gjithë ndihemi të pafuqishëm.