Komisioni Evropian e quajti “të rregullt” emërimin dhe më pas ngritjen e beftë në detyrë të Martin Selmayrit, ndihmësit kryesor të Presidentit të KE-së Juncker.
Në një deklaratë për shtyp të dielën, KE deklaroi se emërimi dhe ngritja në detyrë e Selmayr është bërë në përputhje të plotë me rregulloren e Bashkimit Evropian.
Komisioni sqaroi se Selmayr fillimisht kishte aplikuar dhe ndoqi të gjitha procedurat e nevojshme për t’u bërë Zëvendës Sekretar i Përgjithshëm. Ai më pas u transferua “në interes të shërbimit” si Sekretari i Përgjithshëm i Komisionit, në përputhje me rregulloret për emërimet në BE. Për këtë arsye, Selmayr nuk kishte nevojë të kalonte në një procedurë të re përzgjedhjeje.
Më 21 shkurt 2018, Presidenti i KE-së Juncker, emëroi dhe më pas ngriti në detyrë brenda një dite, ndihmësin kryesor të tij Martin Selmayr — vendim i cili ngjalli dyshime për nepotizëm dhe korrupsion.
Juncker e bëri fakt të kryer emërimin e Selmayr në këtë post përpara KE-së, menjëherë pas dorëheqjes së ish-Sekretarit të Përgjithshëm, holandezit Italianer. Një burim për AFP-në shprehet se vetëm dy prej anëtarëve të KE-së ishin në dijeni të këtij vendimi, duke e cilësuar atë si emërim politik.
Anëtarët e Parlamentit Evropian e kritikuan vendimin e presidentit Juncker dhe do të zhvillojnë një interpelancë për këtë çështje me Günther Oettinger, komisionerin që mbikëqyr burimet njerëzore, pavarësisht deklaratës së KE-së për rregullsinë e emërimit.