Samiti i Sofjes – Spanja refuzon samitin për shkak të Kosovës

Samiti i Sofjes – Spanja refuzon samitin për shkak të Kosovës

Samiti i Sofjes ku do të takohen përfaqësuesit e vendeve të BE-së me përfaqësuesit e Ballkanit Perëndimor rrezikon të dështojë. Pavarësisht se vendet e Bashkimit Evropian kanë rënë dakord për tekstin e deklaratës që do të miratohet në samitin e Sofjes më 17 maj , ende ka mosdakordësi mes shteteve evropiane që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, për pjesëmarrjen në samit.

Kështu, Mariano Rajoy, Kryeministri i Spanjës, një nga vendet që nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur, do të marrë pjesë në darkën e udhëheqësve të BE-së në Sofje në mbrëmjen e 16 majit, por ende nuk ka konfirmuar pjesëmarrjen në punimet e samitit.

Megjithatë Lilyana Pavlova, ministrja bullgare për Presidencën e BE-së, u shpreh optimiste për punime të qeta gjatë samitit. Në një deklaratë për shtyp nga Brukseli, ministrja Pavlova deklaroi:

“Unë besoj se në fund uniteti do të mbizotërojë, pavarësisht dallimeve që kemi, për shembull për njohjen e Kosovës si shtet i pavarur. Kemi synime më të përgjithshme që duhet të arrijmë, prandaj shpresoj fort që do të gjejmë një mundësi kompromisi, në mënyrë që të gjithë të mund të marrin pjesë, secili në mënyrën e tij, sigurisht.”

Përfaqësuesit e Kosovës kanë marrë pjesë dhe më herët në takime të ngjashme, por duket se aspiratat e Katalonjës për autonomi brenda Spanjës ka bërë që pjesëmarrja në të njëjtin samit e përfaqësuesve të shtetit spanjoll dhe kosovar të marrë rëndësi tjetër.

Gjatë samitit të Sofjes nuk do të ketë vendimmarrje lidhur me hapjen e negociatave apo pranimin e ndonjë shteti në BE. Aty thjesht do të miratohen konkluzionet që shtetet e BE-së kanë diskutuar në samitin e 22-23 marsit në Bruskel, lidhur me strategjinë që do të ndiqet në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Fokusi kryesor do të jetë në tema si bashkëpunimi,  siguria dhe lufta kundër krimit të organizuar, dhe sundimi i ligjit. Presidenca bullgare shpreson të ketë memorandume specifike për disa nga këto tema.

Samiti i Sofjes është aktiviteti kryesor që do të zhvillojë Bullgaria gjatë drejtimit 6 mujor të presidencës së BE-së.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>