Zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe parlamentare të Turqisë, të planifikuara për 3 nëntor 2019, janë përshpejtuar për në 24 qershor 2018. Ky veprim elektoral i presidentit Rexhep Tajip Erdogan tregon vendosmërinë e tij për të siguruar një tjetër fitore, nëpërmjet një strategjie politike ku janë vënë në punë të gjitha instrumentet e nevojshme për të kapur dhe mbajtur fuqinë absolute.
Në kushtet e referendumit kushtetues goxha të kontestuar në prill 2017 dhe sistemit super-presidencial që ai solli, katër parakushte për një fushatë zgjedhore janë hedhur në javët e fundit.
Së pari, reforma zgjedhore e Turqisë, i ka dhënë më shumë kontroll zyrtarëve të qeverisë në qendrat e votimit, sesa përfaqësuesve të partisë. Përveç kësaj, vulosja e zakonshme dy herë e zarfeve të votimit nga bordet lokale zgjedhore, nuk do të bëhet më, duke hequr një element sigurie të rëndësishëm kundër vjedhjes së votës.
Së dyti, paralelisht, gjendja e jashtëzakonshme e Turqisë sapo është shtyrë për herë të shtatë që nga korriku 2016, duke u dhënë ndër të tjera autorizim qeveritarëve për të kontrolluar fushatën, duke autorizuar tubime politike (ose jo) dhe duke zhvendosur qendrat e votimit në minutë të fundit për arsye sigurie. Kjo situatë favorizon koalicionin që është aktualisht në pushtet, ashtu siç bëri në referendumin e vitit 2017.
Së treti, burgosja e deputetëve, kryebashkiakëve dhe funksionarëve të Partisë Demokratike Popullore PDP, po dëmton këtë parti duke larguar zërat e saj më të mirë nga skena politike. Osman Baydemir, një nga deputetët më të shquar kurd, sapo është përjashtuar nga parlamenti dhe për këtë arsye e ka të pamundur të kandidojë.
Së fundmi, shitjet e grupeve mediatike te biznesmenët e afërt me qeverinë dëshmojnë për shtrirjen e kontrollit të qeverisë mbi shtypin.
Me këto premisa, vendimi taktik për përshpejtuar zgjedhjet me gjashtëmbëdhjetë muaj sjell përfitime të shumta për presidentin turk.
Mbajtja e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare para zgjedhjeve lokale ( të planifikuara për në mars 2019 ) do të shmangin reagimin nga humbja e pritur e bashkive si Izmiri, Ankara dhe ndoshta edhe Stambolli
Po në këtë mënyrë, mbajtja e zgjedhjeve para një kolapsi të pritur të rezervave të bankës qendrore dhe sanksioneve të SHBA, do të ndihmojë shmangien e pasojave të ndryshme politike.
Njëkohësisht, udhëheqja turke po ndihmohet nga vala nacionaliste pas sulmit ushtarak në rajonin verior të Sirisë, Afrin. Përveç kësaj, kohët e fundit ka pasur disa incidente me fuqitë e huaja, si për shembull mbajtja peng e qytetarëve amerikanë në Turqi dhe kërcënimet ndaj Greqisë për mosmarrëveshjet territoriale në Egje.
Për sa i përket BE-së, vlen të përmendet se zgjedhjet e 24 qershorit në Turqi janë pikërisht katër ditë përpara takimit të Këshillit Europian, i cili pritet të nxjerrë përfundime nga raporti botuar në prill nga Komisioni Evropian për Turqinë. Një fitore në raundin e parë nga Erdogani do digjte çdo kritikë të Brukselit rreth gjendjes së keqe të sundimit të ligjit në Turqi dhe ndoshta do të inkurajonte edhe disa udhëheqës të BE-së të përgëzonin fitoren e Erdogan Në rast të një raundi të dytë, pozicionimi i Këshillit Europian do të përdoret pro ose kundër nga Erdogan, në varësi të qëndrimit të Këshillit.
Në politikën e jashtme, Ankaraja me shumë gjasa do të bëjë çdo përpjekje deri në fund të qershorit, për të paraqitur Presidentin Erdogan si negociuesin e domosdoshëm të Perëndimit dhe njëkohësisht si aleatin e ngushtë të Rusisë. Ndaj, takimet apo bisedat e mundshme me Macron, Merkel dhe Putin do t’i shërbejnë këtij qëllimi.
Ky vlerësim paraqet një pamje shumë të zymtë të politikës dhe ekonomisë turke. Ai parashikon gjithashtu një marrëdhënie të tensionuar me Perëndimin. Por gjërat mund të bëhen edhe më të zymta nëse mashtrimi vazhdon edhe gjatë zgjedhjeve presidenciale. Vëzhguesit ndërkombëtarë do të kenë një detyrë sfiduese për të monitoruar rezultatet.
Vendimi për të përshpejtuar zgjedhjet presidenciale ngre një pyetje të thjeshtë: a mund të luftohet një plan i hartuar kaq mirë për fitoren e Erdogan? Kjo alternativë u rrëzua kur ish-presidenti Abdullah Gyl njoftoi më 28 prill se ai nuk do të kandidonte për president.
Për zgjedhjet presidenciale, presidenti aktual Erdogan ka mbështetjen e Partisë së Lëvizjes Nacionaliste dhe të Partisë së Madhe të Bashkuar.
Partitë opozitare kanë zgjedhur të paraqesin kandidatët individualë – Muharrem İnce për Partinë Republikane Popullore , Meral Akşener për Partinë e Mirë; Selahattin Demirtaş për HDP, me shpresën për ta bërë të pamundur fitoren që në raundin e parë të presidentit aktual.
Në raundin e dytë gara zhvillohet midis kandidatëve që kanë marrë numrin më të lartë të votave në raundin e parë.
Duke pasur parasysh një betejë të tillë të tensionuar, demokracia e Turqisë ose do të rimëkëmbet, ose do të zëvendësohet nga një sistem i përfaqësuar me një njeri.
Përgjigjen për këtë e kanë vetëm turqit.