“Unë kam folur për ndarje të Kosovës që përpara 10, 15 vitesh, dhe mendoj se është e vetmja zgjidhje e mundshme dhe e shpejtë. Megjithatë kjo nuk është e vetmja zgjidhje, të gjitha zgjidhjet mund të merren në konsideratë” — u shpreh Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiç, sipas medias serbe B92.
“Për perëndimin, e vetmja mundësi është njohja e Kosovës si shtet i pavarur. Ka shumë pak zgjidhje që mund të zbatohen, dhe ka mungesë propozimesh. Do të ishte në të mirë të të gjithëve të paraqisnin propozimet e tyre, në vend që të zgjedhin rrugën e nacionalizmit, e cila nuk pranohet nga asnjë nga palët” — shtoi Daçiç.
Deklarata e Ministrit të Jashtëm Daçiç vjen pas deklaratës së Presidentit Thaçi se ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka dakordësi për arritjen e një marrëveshjeje.
“Nuk do të jetë proces i lehtë për Kosovën, por as për Serbinë. Nuk do të jetë një ‘100 përqindësh’ as për Kosovën dhe as për Serbinë. Por, si Kosova ashtu edhe Serbia me këtë marrëveshje do të jenë pjesë e Bashkimit Evropian” — u shpreh Presidenti Thaçi, për gazetarët pas Samitit të Sofjes në Bullagri në fillim të muajit Maj.
Gjithashtu, Thaçi sqaroi se:
“Jam i sigurt që procesi do të përmbyllet me një konkluzion ‘win-win’, që nënkupton se edhe Kosova edhe Serbia do të kenë të ardhme konkrete evropiane pas zbatimit të asaj marrëveshje. Pra, nuk do të ketë humbës dhe nuk do të cenohet njëri apo tjetri shtet, por do të gjinden modalitete bashkëpunimi sipas standardeve evropiane për akomodimin sa më afirmativ të komunitetit serb të Kosovës”.
Sikurse është folur edhe më parë, vende të ndryshme të BE-së janë duke hartuar një propozim të ri të pranueshëm nga dy palët. Ky propozim përfshin një status të veçantë për Mitrovicën në Kosovë, të ngjashëm me atë të qytetit të Vatikanit në Itali.