Baza ajrore e Kuçovës do të shërbejë si bazë për furnizimin me karburant, për mbështetje logjistike dhe për trajnimet e NATO-s. Kjo është edhe arsyeja që NATO do të investojë 51 milionë euro për përmirësimin e infrastrukturës së bazës ajrore në Kuçovë.
Ky lajm u bë i ditur nga Zëdhënësi i NATO-s, Piers Cazalet në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
“NATO ka në plan të investojë 51 milion euro për të modernizuar bazën ajrore të Kuçovës në Shqipëri. Paratë do të shkojnë drejt përmirësimit të infrastrukturës në bazë, përfshirë edhe depot e karburantit”, u shpreh ai për ATSH-në.
Ai sqaroi se ky “financim është pjesë e Programit të Investimit të Sigurisë së NATO-s që mbulon projekte kryesore ndërtuese në vendet aleate me qëllim përmirësimin e sigurisë në hapësirën e NATO-s. Ky program është pjesë e financimit të përbashkët të NATO-s në të cilin kontribuojnë të 29 vendet anëtare”.
Gjatë intervistës Zëdhënësi I NATO-s vlerësoi ndihmën e Shqipërisë në misionet e rëndësishme në Afganistan dhe Kosovë.
Përmes këtij projekti, i cili pritet të nisë brenda këtij viti, Kuçova do të shërbejë si bazë mbështetëse për NATO-n për furnizim ajror; mbështetje logjistike; mbështetje për policimin ajror; si dhe trajnime dhe stërvitje të Aleancës.