GJEDNJ përgjigjet: veprimi i Bibës “i papërshtatshëm”, Rama gënjeu Kuvendin

GJEDNJ përgjigjet: veprimi i Bibës “i papërshtatshëm”, Rama gënjeu Kuvendin

Në përgjigje të një kërkese për koment nga Exit.al, Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut pohoi sot se GJEDNJ-ja hodhi poshtë një kërkesë të qeverisë Rama, në vitin 2014, për të shtyrë shqyrtimin e proceseve kundër shtetit shqiptar me objekt kthimin e pronave:

“Një kërkesë zyrtare për pezullimin e rasteve në lidhje me kthimin e pronave u bë më [15 qershor 2014] në kuadrin e një takimi mes autoriteteve të Gjykatës Europiane dhe shtetit shqiptar. Kjo kërkesë mori […] një refuzim të qartë dhe të drejtpërdrejtë. Në mënyrë të veçantë, çdo lloj vendimi i tillë është kompetencë e Dhomës e cila shqyrton çështjet që presin të shqyrtohen dhe nuk mund të merret nga Kryetari i Gjykatës. Për më tepër një kërkesë e tillë mund të shqyrtohet vetëm në përputhje me rregullat standarde proceduriale.”

Më 9 maj 2016, Kryeministri Rama deklaroi në Kuvend se ai kishte arritur një marrëveshje me GJEDNJ-në në Strasburg. Përgjigjja e GJEDNJ-së për Exit.al tregon se Kryeministri Rama e ka keqinformuar Kuvendin e Shqipërisë:

“Për këtë arsye, nuk ka patur dhe nuk mund të kishte, asnjë “marrëveshje” mes Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe Shqipërisë në lidhje me pezullimin e mundshëm të shyrtimit të çështjeve në fjalë.”

Dje, Exit.al bëri të njohur se në të njejtën datë, 9 qershor 2014, Zëvendës Kryetari i KQZ-së Denar Biba takoi gjykatësin e GJEDNJ-së Ledi Baianku me kërkesë të Sekretarit të Përgjithsëm të Këshillit të Minsitrave Engjëll Agaçi për t’i bërë trysni për të ndihmur në pezullimin e çështjeve të kthimit të pronave, duke i sugjeruar atij se mund të mbetej pa punë pasi të mbaronte mandatin në Strarsburg dhe të kthehej në Shqipëri.

Dje, Biba konfirmoi publikisht se takimi me Biankun kishte ndodhur, por pretendoi se nuk kishte ndodhur asnjë “ndërhyrje e paligjshme”.

Në përgjigjen për Exit.al, GJEDNJ konfirmon se Bianku e raportoi takimin me Bibën, si tek Kryetari i atëhershëm edhe ai i tanishëm i GJEDNJ-së, si një veprim “të papërshtatshëm”:

“Në vitin 2014, një zyrtar i afërt me qeverinë shqiptare (Z. Denar Biba) kontaktoi Z. Ledi Bianku, gjykatës në lidhje me Shqipërinë, dhe i kërkoi atij që Gjykata të pezullonte shqyrtimin e rasteve që lidheshin me kthimin e pronave. Gjykatësi Bianku i vuri në dukje këtij personi se një qasje e tillë ishte e papërshtatshme dhe njoftoi menjëherë Dean Speildmann, në atë kohë Kryetar i Gjykatës Europiane. Ai gjithashtu njoftoi Kryetarin e tanishëm të Gjykatës, Guido Raimondi, posa ky u zgjodh.”

Pohimi i GJEDNJ-së e përshkruan Bibën si “një zyrtar të afërt me qeverinë e Shqipërisë”, edhe pse Biba supozohet që duhet të jetë një zyrtar shtetëror i paanshëm, i ngarkuar me administrimin e paanshëm dhe të ndershëm të zgjedhjeve.

Pra, jo vetëm që GJEDNJ-ja provon se Kryeministri i Shqipërisë gënjeu Kuvendin për një “marrëveshje” me Gjykatën Europiane, në vitin 2016, por ajo pohon se Biba zhvilloi një bisedë “të papërshtatshme” me Biankun, duke vepruar në shërbim të qeverisë.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>