Denar Biba pranoi sot, në një konferëncë për shtyp, se ai i ka kërkuar gjykatësit Ledi Bianku të ndihmonte shtetin shqiptar për të shtyrë shqyrtimin e proceseve gjyqësore në GJEDNJ kundër shtetit shqiptar.
Këtë kërkesë ai e ka bërë në mënyrë miqësore në një periudhë kur ka qenë Kryetar i Agjensisë së Prokurimit Publik.
Në diskutimin me gazetarët, Zoti Biba u shpreh se:
“I kam kërkuar [Ledi Biankut] të na asistonte me dijenitë e tij në lidhje me një kërkesë të shtetit shqiptar për të mundësuar shtyrjen e afatit për ekzekutimin e një detyrimi, i cili në atë moment në periudhën shkurt-mars 2014 kur qeveria shqiptare sapo ishte krijuar mund të falimentonte ose do të vinte në pozitë shumë të vështirë financat e shtetit shqiptar. Gjithçka ishte një bisedë normale mes dy njerëzish, mes dy miqsh që për fat të keq gjyqtari Bianku e ka referuar si qasje të papërshtatshme.”
Ai tha se audio përgjimi po përdoret politikisht për të ushtruar presion mbi KQZ-në në prag të zgjedhjeve vendore:
“Unë nuk kam qenë në asnjë rrethanë në pozitën e nënkryetarit të KQZ, por si drejtues i një agjencie qeveritare për interesa të shtetit shqiptar. Në këtë pikë, nuk më mbetet veçse të besoj që kjo histori po shndërrohet në një shantazh dhe presion në lidhje me punën time në KQZ dhe ndaj KQZ-së në prag të nisjes së periudhës zgjedhore.”
Zoti Biba nuk sqaron pse qeveria shqiptare, përmes Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave Engjëll Agaçi , i ka kërkuar kryetarit të APP-së, një institucioni shtetëror që ka për detyrë mbarëvajtjen e tenderimeve publike, të marrë pjesë në një proces që nuk është pjesë e detyrave të tij.
Për më tepër, Zoti Biba, në atë kohë drejtues i APP-së nuk ka qenë pjesë zyrtare e delegacionit që përbëhej nga Zëvendëskryeministri dhe Ministri aktual i Bujqësisë Niko Peleshi, Prokurorja e Shtetit Alma Hiçka, ish-Zëvendësministri i Drejtësisë Idlir Peçi, dhe drejtoresha e Agjencisë për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave (AKKP) dhe Ministrja aktuale e Shtetit për Mbrojtjen e Bizneseve Sonila Qato. Megjithatë, Biba pranon gjatë takimit me Biankun se bileta i është paguar nga “ata”, duke iu referuar Zotit Agaçi.
Ky reagim i Bibës vjen dy ditë pasi Exit.al publikoi një audio-përgjim ku dëgjohet nënkryetari i KQZ-së Denar Biba duke shantazhuar Ledi Biankun, gjyqtarin shqiptar në GJEDNJ, Zoti Biba e ka pranuar në dy intervista se e ka takuar Ledi Bianku në Strasburg në qershor 2014, gjatë qëndrimit të tij aty për të marrë pjesë në një takim zyrtar të qeverisë shqiptare me Presidentin e GJEDNJ-një Presidenti Dean Spielmann.
Për këtë rast ka reaguar dhe vetë Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut e cila e ka quajtuar veprimin e Bibës “një qasje të papërshtatshme ndaj një gjykatësi”.