Ministrat e jashtëm të BE-së: Ndryshimi i kufijve Kosovë-Serbi nuk është zgjidhje

Ministrat e jashtëm të BE-së: Ndryshimi i kufijve Kosovë-Serbi nuk është zgjidhje

“Kur vihen në diskutim kufijtë, hapet kutia e Pandorës”. Ky ishte mesazhi që dhanë dje ministrat e jashtëm të BE-së lidhur me propozimin për shkëmbim territoresh mes Serbisë e Kosovës si zgjidhje për konfliktin mes tyre, specifikisht kalimin e Mitrovicës së Veriut Serbisë dhe të Luginës së Presheves Kosovës.

Ministri gjerman Heiko Maas, njësoj si qeveria gjermane, deklaroi se rishikimi i kufijve do të nxisë tensione etnike, por shtoi gjithashtu se blloku evropian do të mbështesë një marrëveshje që respekton të drejtën ndërkombëtare.

“Ne besojmë se kjo [zgjidhje] mund të hapë shumë plagë të vjetra tek qytetarët, ndaj jemi shumë skeptike”, u shpreh Maas.

Ndërkohë që ministri i jashtëm i Luksemburgut, Jean Asselborn, tha se rajoni i Ballkanit Perëndimor nuk duhet të coptohet.  Sipas tij, shkëmbimi i territoreve mes Serbisë e Kosovës mund të sjellë pasoja negative për vendet e tjera, për shembull, të inkurajojë Republikën Srpska në Bosnjë-Herzegovinë që të bashkohet me Serbinë ose presidentin rus, Vladimir Putin, që ta shikonte këtë rast si një mundësi për të justifikuar aneksimin e Krimesë.

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së Federica Mogherini, e cila në fillim la të mendohej se ishte dakord për idenë e shkëmbimit të territorit, në takimin e ministrave në Vienë, e bëri të qartë qëndrimin e saj kundër formimit të shteteve etnikisht të pastra, një refuzim i shprehur me gjuhën e diplomacisë ndaj planeve për „spastrime etnike” në territoret e dy shteteve.:

“Duam një marrëveshje që të mbyllë problemet e hapura. Marrëveshja do të ketë mbështetjen tonë me kusht që ajo të jetë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.”

Normalizimi i marrëdhënieve dypalëshe është një kusht kyç për Serbinë dhe Kosovën që të përparojnë drejt qëllimit të tyre përfundimtar të anëtarësimit në BE. Fqinjët e Ballkanit ranë dakord në vitin 2013 për të zgjidhur të gjitha çështjet në pritje, por deri më tani nuk ka një draft marrëveshje të bërë publike. Takimi i radhës mes presidentit Vuçiç, presidentit Thaçi dhe Mogherinit do të zhvillohet më 7 shtator, në Bruksel.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>