Bashkia Vlorë dhe qeveria po planifikojnë ndërtimin e një landfilli të ri në fshatin Sherishtë në Kaninë.
Ky landfill parashikohet të mbledhë mbetjet e Sarandës, Delvinës, Finiqit, Himarës dhe Konispolit, dhe do të jetë landfilli i dytë më i madh në rajonin e jugut, pas atij në Bajkaj.
Megjithëse ende nuk ka shumë informacion të bërë publik, dihet se ky landfill do të financohet nga Bashkia Vlorë, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe banka gjermane KfW.
Ndërtimi i këtij landfilli të ri do të bëjë të mundur mbylljen e dy vend-grumbullimeve të mbetjeve në Vlorë dhe Orikum.
“Këto vend-depozitime do të mbyllen dhe do të rehabilitohen në kuadër të ndërtimit të këtij landfilli të ri. Bazuar në studimin e fizibilitetit të kryer për këtë projekt është zgjedhur si zona më e përshtatshme për zhvillimin e tij, zona në lindje të qytetit të Vlorës, në afërsi të fshatit Sherishtë njësia administrative Kaninë.
Landfilli përfshin disa facilitete si për trajtimin e mbetjeve të cilat do të merren në konsideratë gjatë hartimit të vlerësimit të ndikimit në mjedis. Për një menaxhim sa më të mirë të kullimit në landfill, ky i fundit do të mbushet me tre faza. Landfilli është projektuar për një periudhë prej 20 vjetësh”, sqarohet në dokumentet e projektit.
Me ndërtimin e këtij landfilli, shkon në katër numri i landfilleve të mbetjeve që Qeveria Rama ka nisur në këto dy vitet e fundit. Për më shumë lidhur me industrinë e grumbullimit të mbetjeve dhe hapjen e landfilleve dhe ndërtimin e inceneratorëve mund të lexoni këtu.