Qytetarë, artistë e aktivistë po protestojnë përpara kuvendit, kundër votimit të ligjit për Teatrin Kombëtar, që i hap rrugë prishjes së godinës së teatrit dhe ndërtimit të kullave në zonë.
Ndërkohë megjithëse në axhendën e kuvendit, është dhe votimi i ligjit për teatrin, me shumë gjasa ky votim do të shtyhet pasi mungojnë rreth 10 deputetë të shumicës socialiste. Për miratimin e ligjit duhet 71 vota, të cilat në parim shumica socialiste i ka, në rast se të gjithë deputetët e saj janë të pranishëm në seancë – ligjin e mëparshëm “Fusha shpk”, shumica socialiste e miratoi e vetme, me 75 vota.
Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi ndërpreu punimet e seancës 5 minuta pas nisjes së saj, pikërisht për shkak të mungesave por deri më tani nuk është bërë e ditur prezenca reale në sallë.
Seanca rinisi sërish me kryeprokuroren e Përkohshme Arta Marku e cila raportoi për gjendjen e kriminalitetit dhe punën e prokurorisë gjatë vitit 2017.
Nuk dihet ende nëse shumica socialiste do të zhvillojë votimin për ligjin e Teatrit apo jo.